Sami Frashëri / V E P R A 9
Titulli i origjinalit:
Ch. Samy-Bey Fraschery
KÂMÛS AL-A'LÂM
Shënim
Këtë vepër
e botojmë me numrin rendor 9 për ta ruajtur vazhdimsinë
e veprave të Sami Frashërit të botuara në Shtëpinë
botuese Rilindja në Prishtinë.E falënderojmë përzemërisht
Redaksinë e botimeve të Rilindjes për pëlqimin e dhënë
dhe për mirëkuptim.nga botuesi
Sami Frashëri: VEPRA 9
PERSONALITETET SHQIPTARE
NË KÂMÛS AL-A'LÂM
TË SAMI FRASHËRIT
Zgjodhi, përktheu
dhe shpjegoi:
Mehdi Polisi
LOGOS-A
Shkup 1994 , Biblioteka H i s t o r i a
Recensorë: Feti Mehdiu , Bahri Aliu
Sami Frashëri: VEPRA 9
PERSONALITETET SHQIPTARE
NË KÂMÛS AL-A'LÂM
TË SAMI FRASHËRIT
LOGOS-A Shkup 1994
Titulli i origjinalit: Ch. Samy-Bey Fraschery
KÂMÛS AL-A'LÂM
Zgjodhi, përktheu dhe shpjegoi Mehdi Polisi
SAMI FRASHËRI DHE KÂMÛS AL-A'LÂM
Dijetari i madh dhe ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare Sami Frashëri, u lind në katundin Frashër të
Shqipërisë në qershor të vitit 1850. Mësimet e
para Samiu i nxuri në Frashër nga muderrizi Mahmut Efendi Tetova.
Në moshën nëntëvjeçare i vdiq i ati, e dy vjet
më vonë, pra më 1861 edhe e ëma. Të mbetur kështu,
pa prindër, për të dhe për tërë familjen
(gjithsej ishin gjashtë vëllezër dhe dy motra), sipas traditës
shqiptare, duhej të kujdesej vëllai më i madh, Abdyli. Meqë
Frashëri, vend malor, Abdyli nuk shihte ndonjë perspektivë
të madhe aty, prandaj, për t'ua mundësuar shkollimin vëllezërve
të tij, më të vegjël dhe për të krijuar kushte
më të mira, vendosi të transferojë familjen në
Janinë, kryeqytet i vilajetit të atëhershëm.
Posa u vendosën në Janinë në vitin 1861, Samiu,
krahas mësimit të turqishtes, arabishtes dhe persishtes te muderrizi
Jakup Efendiu, bashkë me të vëllanë, Naimin, u regjistrua
në gjimnazin e njohur Zosimea, të cilin e mbaroi para kohe; për
shtatë vjet në vend për tetë sa ishte paraparë,
gjë që tregon forcën intelektuale të tij. E mbaroi
më 1868 që e dëshmon edhe diploma e cila mban datën
e 14 korrikut të këtij viti , e jo më 1871, siç e
marrin disa. Samiu këtu kishte mësuar edhe njohuri të reja:
greqishten e vjetër dhe të renë, frengjishten, italishten,
latinishten, pastaj, gjeografinë, historinë, matematikën,
kozmografinë, historinë e natyrës dhe anatominë.
I pajisur kështu me një kulturë të Lindjes, nga
njëra anë, dhe të Perëndimit, nga ana tjetër,
tre vjet pas mbarimit të gjimnazit, shkoi në Stamboll, në
kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ku do të vazhdojë
punën e tij krijuese plot 33 vjet, deri në vdekje, në qershor
të vitit 1904. Kur erdhi në Stamboll Samiu nuk i kishte më
shumë se 21 vjet; i ri për nga mosha, por i pjekur dhe i ngritur
për nga dituria, pa u menduar shumë, ia nisi punës për
të botuar pas një viti veprën e tij të parë dhe
njëherësh romanin e parë në letërsinë turke
"Taa½½uk-i Talat ve Fitnat” .
Sami Frashëri shkroi shumë, mbi 60 vepra: shqip, turqisht,
arabisht, persisht, disa prej tyre me shumë vëllime . Pastaj,
revistat “Aile” (Familja) dhe “Hafta” (Java), revistat më serioze
të kohës, ishin kryekëput të tijat, po edhe në
gazetat e tjera të kohës artikujt e Samiut zinin vendin kryesor.
Veprimtaria e Samiut është e shumanëshme, vëllimore,
por ç'është më e rëndësishme, cilësore,
origjinale dhe gjithnjë aktuale. Veprat e tij në gjuhën
shqipe, pa pretendim se do t'i përmendim të gjitha, në krahasim
me veprat që i shkroi në gjuhën turke, janë të
pakta, mirëpo këtu Samiu i preku çështjet më
të ndieshme, më të domosdoshme dhe më me interes për
popullin shqiptar: hartoi alfabetin shqip, shkroi gramatikën shqipe,
siç e quan ai, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” , që
kishte rëndësi jo vetëm shkencore, por edhe më gjerë.
Pastaj shkroi veprën, ose më mirë të themi kryeveprën
e veprave shqip “Shqipëria ç'ka qenë, ç'është
dhe ç'do të bëhet” ? Sa i kthjelltë, çfarë
force intelektuale dhe sa largpamës ka qenë Samiu, pa dyshim,
mund të shihet në këtë vepër, ku para njëqind
e sa vjetësh i shtron pikëpamjet e veta për një shtet
të fortë, demokratik dhe të organizuar shqiptar.
Ndërkaq, në veprën në gjuhën turke Samiu,
thuajse nuk la fushë të shkencës pa e shkelur, në shumë
prej tyre ishte edhe pioner. Shkroi vepra letrare, filologjike, linguistike,
dialektologjike, islamologjike, didaktike, leksikologjike etj . Sa për
kuriozitet po i përmendim vetëm veprat nga fusha e leksikologjisë,
ku hartoi fjalorët: Frengjisht-turqisht me afër 50 mijë
fjalë; Turqisht-frengjisht me afër 35 mijë fjalë;
Arabisht-turqisht ; Fjalori i gjuhës turke me 1575 faqe, me
afër 45 mijë fjalë, i punuar me një metodologji bashkëkohore;
jep etimologjinë e fjalëve, llojin e fjalëve (emër,
mbiemër, folje etj.), kuptimet e fjalëve sipas rëndësisë
së tyre (1,2,3 etj.), frazeologjizmat, kuptimet figurative, përdor
shenjat diakritike për shkronjat arabe - osmane, të cilat në
gjuhën turke kanë mundësi të lexohen në disa mënyra,
i vokalizon fjalët që kanë mundësi të lexohen
në mënyra të ndryshme etj. Ky është fjalor normativ
i gjuhës së atëhershme turke dhe do të shërbejë
si bazë për shumë fjalorë të mëvonshëm.
Në këtë fushë Samiu fitoi famë të madhe.
Megjithatë, vepra e cila e bëri Samiun shkencëtar në
suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë
bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe
librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte
lodhur më së shumti, pa dyshim është:
KÂMÛS AL-A'LÂM
Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme
e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj
kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej
4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike. Këtu
Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frenge DICTIONNAIRE
UNIVERSEL D'HISTOIRE ET DE GEOGRA-PHIE, kurse emrin e vet e shënon
të plotë Ch. Samy-Bey Fraschery (Sh. Sami Bej Frashëri).
Kâmûs al-a'lâmi botohet brenda viteve 1889 - 1898;
vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë botohen në të
njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet,
përveç vëllimit të katërt që botohet tre
vjet pas të tretit. Kjo tregon për vështirësitë
që kishte hasur Samiu pas vëllimit të dytë që
do të shohim edhe nga vetë parathënia e tij.
Vëllimi i parë hapet me fjalën e botuesit Mihran, pastaj
pason parathënia, siç e quan Samiu Ifade-i Meram (tregimi i
qëllimit) prej tetë faqe e gjysmë të shkruar nga vetë
Samiu. Në paragrafin e parë të kësaj parathënie,
përkundër dëshirës së vet, sepse e urrente nga
zemra , e lëvdon Sulltan Hamitin, pastaj flet për rëndësinë
e dy shkencave: historisë dhe gjeografisë për të vazhduar
pastaj për veprat historike dhe gjeografike, që kishin shkruar
dijetarët e parë islamë; për vështirësitë
që i kishin dalë gjatë klasifikimit dhe zgjedhjes së
lëndës si dhe për arsyet që e kishin shty të shkruajë
një vepër të këtillë. Këto ishin disa nga
çështjet që i shtron Samiu në parathënien e
Kâmûs al-a'lâm-it, prandaj në vazhdim do të
ndalemi te kjo parathënie.
“Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e
vet... Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë nga shkencat
më tërheqëse. Në të vërtetë njeriu ka
dëshirë të dijë për gjendjen e planeteve të
largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë
për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton?
Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse
ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash janë; pastaj,
si të mos e di gjendjen e gjyshërve, stërgjyshërve
të vet dhe popujve të ndryshëm që jetojnë në
planetin e tokës. Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet
me gjeografi, kurse e dyta me histori”.
Për të treguar se historia dhe gjeografia janë dy shkenca
të pandashme, që nuk mund të jenë funksionale njëra
pa tjetrën, Samiu thotë: “Gjeografia dhe historia janë binjake.
Personi që dëshiron të dijë njërën, është
i shtrënguar të mësojë edhe tjetrën. Çfarë
rezultatesh do të arrijë ai që mëson për ngjarjet,
e që nuk di për të kaluarën e atyre vendeve ku janë
zhvilluar ato ngjarje! Prandaj, gjeografia është e nevojshme
për historinë dhe anasjelltas, bile është një
degë, vazhdon Samiu, ku të dyja bashkohen, e ajo është
“gjeografia historike”. Nëse e lexojmë tani, thotë Samiu,
gjeografinë që e ka shkruar Straboni para 1900 vjetësh,
për shumicën e vendeve që i përshkruan ai, do të
mendojmë se lexojmë gjeografinë e një planeti tjetër.
Kur i shohim hartat e tij, krahasuar me ato që janë sot, do të
hapet diskutimi, sepse, as ndarjet nuk janë ato të tanishmet,
as emrat e vendeve, as qytetet e kasabatë, as popujt janë ata
që kanë qenë në ato vende. Vendi ku ka qenë një
qytet i madh e që ka qenë qendër civilizimi, sot është
i zbrazët, e në vende ku nuk ka pasur shenja gjallërie,
sot shohim qytete të mëdha. Këto ndërrime janë
të pranishme gjithnjë, prandaj, thotë Samiu, gjeografia
nuk është shkencë e qëndrueshme. Gjeografia e cila
është shkruar para dhjetë vjetësh, tani pjesërisht
kalon në gjeografi historike”.
Sipas Samiut, “Historia është kohë, gjeografia është
vend, kurse lidhja që ka koha me vendin është e qartë.
Koha është gjithmonë po ajo kohë, edhe vendi, përveç
disa ndryshimeve që ndodhin në mënyrë shumë të
ngadalshme që i takojnë gjeologjisë, është po
ai vend, por ndryshojnë njerëzit dhe gjërat që i krijojnë
ata. Për të mësuar gjendjen e tanishme dhe të kaluar
të njerëzve që janë e që kanë qenë në
rruzullin tokësor, mund t'u drejtohemi vetëm shkencave të
historisë dhe të gjeografisë, thotë Samiu. Këto
rrethana, nga aspekti kohor i mësojmë nga historia, nga aspekti
i vendit i mësojmë nga gjeografia, e nga aspekti i përbashkët,
i kohës dhe i vendit, nga gjeografia historike.
Në vazhdim Samiu bën dallimin e gjeografisë historike
nga gjeografia matematikore dhe natyrore, duke thënë se njëra
merret me matematikë (me numra) e tjetra me gjeologji, për të
thënë më poshtë se “historia dhe gjeografia janë
dy shkenca shumë të gjera, saqë, për të mësuar
çdo anë të këtij rruzulli tokësor të vogël
që nuk mund të shihet nga planeti i Jupiterit pa dyrbi, jeta
e njeriut është e shkurtër”.
Më poshtë bën edhe dallimin në mes historisë
dhe gjeografisë: “Historia është më e gjerë se
gjeografia, sepse në histori, thotë Samiu, kundërthëniet
janë më të shumta. Një pjesë e historisë
është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës
dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë.
Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm.
Sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon
edhe interpretimi. Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim
e herë duke gabuar, ashtu që vështirë është
që në mesin e tyre të gjendet ajo që është
e vërtetë”. Këtu merr si shembull historinë e Iranit
të lashtë, duke thënë se “ka dallime në mes historisë
evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë
lindore që interpretohet nga Firdevsi. Këto dy histori janë
shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është
e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?”
- pyet Samiu. Samiu këtu përpiqet t'u sugjerojë historianëve
që të jenë sa më të kujdesshëm dhe më
objektivë: “Është detyrë e atyre që merren me
histori që të mos marrin gjithnji si të vërtetë
atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa
i verifikuar burimet...”
Se sa literaturë të gjerë ka përdorur Samiu për
hartimin e Kâmûs al-a'lâmit dhe sa i ka njohur veprat
e dijetarëve islamë , sidomos ato arabe, mund të shihet
në vazhdim: “Dijetarët e parë islamë janë marrë
shumë me këto dy shkenca dhe kanë shkruar shumë libra.
Përveç librave të përgjithshëm historikë
të historianëve, p.sh. Mes'udit, Ibni Ethirit, Ibni Haldunit,
Ibni Xhuzit, Dhehbit, Makrizit, Ajnit, të cilët i përshkruajnë
ngjarjet gjerë e gjatë, ka edhe libra të veçantë
historikë për çdo vend, për çdo shtet, madje
për çdo qytet e kasaba. Hatib Bagdadi, thotë Samiu, ka
shkruar vetëm historinë e Bagdadit në mbi 50 vëllime
të mëdha, kurse Ibni Asakiri, për historinë e Damaskut
ka shkruar plot 57 vëllime... Nga fusha e historisë, dijetarët
e parë islamë kanë shkruar edhe vepra biografike për
sahabet (shokët e Muhammedit a.s.); për halifët, fakihët,
muhad-dithinët, poetët, mjekët, kurratë, mufessirët,
vezirët, pra për të gjithë personalitetet që kanë
luajtur ndonjë rol në shoqëri. Të gjitha biografitë
e tyre janë shkruar në mënyrë të gjithanshme,
gjerësisht... Ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë
zhdukur dhe nuk gjendet, sot edhe ajo që gjendet, thotë Samiu,
vështirë mund të shfrytëzohet, sepse është
shkruar shumë gjerësisht.
Dijetarët e parë islamë kanë shkruar shumë
libra edhe nga fusha e gjeografisë, si p.sh. Astrahiu, Ibni Hukali,
Mukadesi, Bekriu, Biruniu, Idrisi, etj. Këtu Samiu përmend edhe
autorët që kanë shkruar udhëpërshkrime, siç
janë Ibni Betuta dhe Ibni Xhubejri.
Arabët, thotë Samiu, janë të parët që
veprat e tyre gjeografike dhe historike i kanë shkruar sipas rendit
alfabetik.
Në vazhdim Samiu flet për përparësitë dhe
të metat e këtyre veprave. Të metat e tyre i shihte në
atë se janë shkruar shumë gjerësisht dhe shumë
vështirë mund të shfrytëzoheshin, saqë kur t'i
interesojë dikujt të dijë për biografinë e një
personaliteti, ose për ndonjë vend, shtet, qytet, kasaba, mal,
lumë etj. duhet të shfletojë tërë ato vëllime
derisa të arrijë te ajo që e kërkon dhe që i intereson,
thotë Samiu. Pastaj, edhe një herë, me një sy kritik,
ndalet te veprat biografike të personaliteteve të kategorive
të ndryshme shoqërore për të thënë më
poshtë se duhet hartuar një fjalor historik të mirëfilltë,
duke marrë si shembull një vepër të Ibni Halikanit
. Pokështu flet edhe për veprat gjeografike, duke e zënë
ngoje më poshtë veprën e Jakut Hameviut “Mu'xhem el-buldân”
, për të cilën thotë se “ndonëse është
shkruar pak gjerë, sepse flet gjerësisht për gjëra
të dorës së dytë, meriton të quhet fjalor gjeografik.
Zotëri Vustenfildi, dijetar dhe orientalist gjerman, këtë
vepër të famshme, kohëve të fundit e botoi në
Lajpcig (Laipsig) dhe me këtë i bëri një shërbim
të madh shkencës arabe, thotë Samiu.
Me gjithë vërejtjet, Samiu e çmon kontributin e dijetarëve
të parë islamë, e në këtë rast nuk lë
pa kritikuar turqit të cilët atëbotë edhe ato pak vepra
që i kishin shkruar dhe që i kishin përkthyer, i kishin
lënë pa botuar. Këtu shihet se Samiu, përveç
veprave të botuara historike-gjeografike, ka qenë në dijeni
të plotë edhe për ato vepra që nuk ishin botuar.
Duke i njohur mirë veprat historike-gjeografike arabe, nga njëra
anë dhe veprat e këtilla evropiane, nga ana tjetër, Samiu
bën një krahasim në mes tyre, duke thënë: “Ndonëse
arabëve u takon merita e hartimit të veprave të mëdha
të kësaj natyre, popujt evropianë që janë mësuar
nga arabët, i kanë tejkaluar në metodologji”.
Arsyet që e kishin shty Samiun të shkruajë Kâmûs
al-a'lâmin i gjejmë në vazhdim të parathënies:
“Ka dallime të mëdha në mes botës islame dhe asaj perëndimore.
Fjalorët gjeografikë e historikë në gjuhët evropiane
bëjnë fjalë gjërësisht për personalitetet
dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islamike shkruajnë
shkurtimisht. Përkthimi nga këto gjuhë nuk i plotëson
nevojat tona. Për të përgatitur një fjalor historik
e gjeografik për nevojat tona, duhet mbledhur vepra të tilla,
të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët
islamike, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga
të gjitha. Sikurse evropianët që u kanë dhënë
më shumë rëndësi çështjeve që u interesojnë
atyre e që i kanë lënë në rend të dytë
ato që na interesojnë neve, natyrisht, edhe ne do të kujdesemi
më shumë për personalitetet dhe vendet islamike e osmane
dhe do t'i trajtojmë në shkallë të dytë ato të
tyre”.
Nga pjesa vijuese e parathënies kuptojmë se gjatë hartimit
të Kâmûs al-a'lâm-it puna më e vështirë
i kishte dalë Samiut gjatë zgjedhjes së lëndës:
çfarë lënde duhet të përfshihet në të,
çka duhet marrë nga ai mal veprash historike-gjeografike arabe,
cilët personalitete duhet të hyjnë në të, sa vend
duhet t'i jepet çdo njësie, me një fjalë, “të
përfshihet materiali që do të ishte për interesat tona”,
thotë Samiu. “Të shkruash për personalitetet dhe ngjarjet
historike të kohës së Perandorisë Osmane është
një punë e vështirë, vazhdon Samiu, sepse, vështirë
mund të nxjerrësh dhe të gjesh atë që e
kërkon nga disa libra historikë dhe të gjesh histori të
rregulluara të kësaj kohe. Për Anadollin dhe Rumelinë
është vështirë të gjendet një hartë
ose një gjeografi e plotë në gjuhën tonë, por
edhe shkrimet që janë në gjuhët evropiane e që
lidhen me ne nuk mund të jenë mbështetje e fortë”.
Për këta vende Samiu thotë se kishte shfrytëzuar salnamet
(kalendarët vjetorë) dhe dokumente të tjera zyrtare të
kohës.
Ideja dhe dëshira për të shkruar Kâmûs al-a'lâm-in,
Samiut i kishte lindur qysh herët, por për shkak të vështirësive
dhe pamundësisë e kishte lënë anash këtë
punë. Më në fund fitoi dëshira mbi pamundësinë,
thotë Samiu, dhe me lutjen e botuesit Mihran, ia fillova kësaj
pune, dhe nga njëra anë shkruaja, nga ana tjetër botoja”.
Kështu, për një vjet i botoi dy vëllimet e para. “Meqë
fillimi i çdo pune është më i vështirë,
thotë Samiu, për nja dy vjet do t'i shkruaj edhe do t'i botoj
edhe vëllimet e tjera, kështu do ta plotësoj tërë
veprën”. Mirëpo këtu ishte mashtruar, sepse mu Kâmûs
al-a'lâmi, për hartimin e të cilit, siç do të
thoshte Samiu, kishte qëndruar në mesin e qindra librave, kishte
shëtitur bibliotekat e shumta dhe kishte shfrytëzuar librat e
lënë në pluhur dhe të ngrënë nga krimbat,
ia kishte marrë plot 11-12 vjet të jetës.
Pas parathënies, Samiu në një faqe jep shpjegime për
hartimin e kësaj enciklopedie historike-gjeografike. Ja disa nga ato:
- Emrat që janë marrë nga gjuhët e huaja, për
t'u lexuar dhe për t'u shkruar drejt, janë shkruar edhe me shkronja
latine, po edhe emrat arabë, turk dhe persianë jo fort të
njohur dhe të ditur, janë vokalizuar për t'i ikur luhatshmërisë
dhe dyshimit të leximit të tyre.
- Shumica e emrave që janë marrë nga gjuha greke janë
shkruar edhe me shkrimin grek.
- Radhitja e lëndës është bërë sipas
alfabetit, ashtu si është i njohur personaliteti ose vendi, e
në kllapa janë dhënë ato shpjegime që janë
të dorës së dytë, d.m.th. sipas emrit, mbiemrit, pseudonimit
etj. Kur personaliteti ose vendi është i njohur me dy emra, atëherë
shënohet njëri i cili të udhëzon te tjetri.
- Te biografitë dhe te ngjarjet islame përdoret data sipas
hixhretit, kurse te të tjerat përdoret data sipas kalendarit
miladi; në të shumtën e rasteve për të larguar
dyshimin, theksohet se për cilën datë është fjala:
hixhri ose miladi.
- Shpjegimin e terminologjisë historike dhe gjeografike, inshae
All-llahu Teala (nëse do Zoti xh.sh.) do ta përfshijmë në
“Kamus al-funun” që e kam në projektin tim, thotë Samiu,
sepse përveç emrave të përveçëm, që
janë në “Kâmûs al-a'lâm” nuk e shohim të
arsyeshme të fusim tjetër gjë .
Në fund të vëllimit të gjashtë Samiu shkruan
se tash, pasi punova 11 vjet rresht punë të vazhdueshme dhe intensive,
e mbarova Kâmûs al-a'lâm-in. Mirëpo, duke pasur
parasysh punën individuale, lëndën e tij kaq të gjërë
dhe që është shkruar dhe tubuar aq me vështirësi,
është jashtë çdo mundësie që në të
të mos haset ndonjë gabim ose mangësi (lëshim), prandaj,
vazhdon Samiu, ajo që ka mbetur pa u përfshirë këtu,
e kam në plan ta plotësoj me një vëllim vazhdues .
Pastaj, vazhdon Samiu, edhe nga lexuesi i sinqertë i Kâmûs
al-a'lâm-it pres ndonjë sugjerim dhe vërejtje, të
cilit do t'i falënderohem.
Sami Frashëri në Enciklopedinë e tij të famshme
shkruan për vendet anekënd botës; shkruan artikuj të
përgjithshëm gjeografikë e historikë për Evropën,
Ballkanin, Turqinë, Amerikën, Azinë, Afrikën, Arabinë,
Zelandën, e në mënyrë të veçantë për
vendet, shtetet, qytetet, detet, liqenet, malet, popujt etj. të këtyre
vendeve; pastaj për perandori, dinasti, mbretëri të ndryshme;
për personalitete të shquara të kategorive të ndryshme
shoqërore deri në kohën e tij: sulltanë, mbretër,
sadriazemë, vezirë, shejhulislamë, imamë, papaj, historianë,
gjeografë, mjekë, filozofë etj. Shkruan p.sh. për Ebu
Hanifen. Shafiun, Malikiun, Hambeliun, Ibni Sinanë (i njohur në
Evropë si Avicena), Buharinë, Muslimin, Ibni Ruzhdin (Averoes),
Farabiun (Alfarebos), Ibni Betutën, Evlija Çelebiun. Franc
Bopin, Balzakun, Paskalin, Didëronë, Strabonin, Aristotelin etj.
Po për Shqipërinë dhe shqiptarët? Kur është
fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për vendin
dhe popullin e vet, tash, pasi e kemi nxjerrë tërë lëndën,
mund të themi me plot gojën se Samiu i kishte dhënë
vetes liri të shkruajë pak më gjerë; të shkruajë
gjëra që, me siguri, nuk mund t'i gjejmë në enciklopedi
të tjera. Në Artikullin Arnautlluk (Shqipëria) në mënyrë
të përgjithshme shkruan për tërë territoret e
Shqipërisë, kufijtë e saj, qytetet, kasabatë, malet,
fushat, liqenet, lumenjt etj. për të prezentuar pastaj veç
e veç, qytetet, kasabatë, malet etj. të saj me të
gjitha karakteristikat e tyre: gjeografike, historike, demografike, bukuritë
natyrore etj. Ndërsa, në artikullin Arnaud (Shqiptarët)
flet për lashtësinë e popullit shqiptar, për trimërinë,
krenarinë, moralin, sinqeritetin, zgjuarsinë e tij; për
besnikërinë e femrës shqiptare, por, njëkohësisht,
duke ia dashur të mirën këtij populli thekson edhe disa
dobësi të kahmotshme që duhet mënjanuar. Nuk do të
ndalemi më gjatë te ky artikull për arsye se lexuesi do
të ketë mundësi ta lexojë në tërësi
në gjuhën shqipe. (shih këtu artikullin: Shqiptarët).
Sami Frashëri në Kâmûs al-a'lâm-in e tij
ka dhënë shënime bio-grafike edhe për shumë personalitete
nga mbarë trojet shqiptare, nga: Elbasani, Korça, Shkodra,
Tetova, Prishtina, Prizreni, Peja, Ohri, Manastiri, Shkupi, Ulqini Gjirokastra,
Janina etj., shumica e të cilëve për lexuesit shqiptarë,
mjerisht, kishin mbetur të panjohur sa duhet. Prandaj, e pamë
të udhës që këtë lëndë ta nxjerrim,
ta përkthejmë dhe kështu t'ia ofrojmë edhe lexuesit
tonë, duke e përgatitur si vepër të veçantë.
Përmes kësaj vepre lexuesi shqiptar do të dijë për
meritat, rolin dhe aftësitë e bashkëkombësve të
tij, respektivisht për shkallën e kulturës kombëtare
shqiptare. Në këtë vepër lexuesi shqiptar do të
lexojë për Hoxhë Tahsinin, Skenderbeun, Abdyl Frashërin,
Ali Pashë Tepelenën, Bushatlinjtë, Dora d'Istrian (Elena
Gjikën); përmes kësaj vepre do të dijë se sa kryeministra
shqiptarë ka pasur në Perandorinë Osmane dhe kush janë
ata; do të dijë se kush ka qenë p.sh. Aqif Mehmed Pashë
Tetova; çfarë roli kanë luajtur Qyprilinjtë; kush
ka qenë Gjiritli Mustafa Nail Pasha; sa historian i famshëm ka
qenë Lutfi Pasha; do të dijë për Mirahor Iliaz beun,
stërgjysh (nga nëna) i Sami Frashërit dhe themelues i qytetit
të Korçës; do të lexojë për Nesibin; do
të mësojë për Sinan Pashën, pushtuesin e Jemenit,
i cili ka qenë pesë herë kryeministër (sadriazem) i
Perandorisë dhe pesë herë kryekomandant ushtarak; për
Mehmed Ali Pashën, reformator i Egjiptit, për Seid Pashën,
sipas të cilit e mer emrin qyteti Port Said. Do të mësojë
për një varg poetësh shqiptarë të shekullit 15-16;
Fevrin, Suzin, Mesihin e Prishtinës, Jahja bej Dukagjinin, Dukagjin-zade
Ahmed beun, Muidin ejt.
Pra, nga sa shihet, Samiu në Enciklopedinë e tij historike-gjeografike,
të shkruar në gjuhën turke, ka përfshi një material
të gjerë historik e gjeografik për trojet etnike shqiptare
si dhe një listë të gjatë të personaliteteve të
shquara shqiptare që nga kohët e lashta e deri në kohën
e tij që, siç thotë Zija Xholi “...mund të
quhet Enciklopedia e botës historike dhe gjeografike shqiptare brenda
Enciklopedisë së përgjithshme”.
Këtu shpesh shtrohet një pyetje; pse Samiu, si shqiptar,
e shkroi Kâmûs al-a'lâmin, kryeveprën e tij, në
gjuhën turke. Kësaj pyetjeje. me siguri, më së miri
do t'i përgjigjej vetë ai. Megjithatë, mund të themi
se kjo nuk duhet ta brengosë askënd, përkundrazi, sepse,
Samiu me mendjehollësi i kishte menduar gjërat qysh më parë.
Me këtë ai para njëqind vjetësh deshi ndërkombëtarizimin
e çështjes shqiptare, deshi t'i tregojë botës, pikërisht
në kohën e shthurjes së Perandorisë Osmane, se cilat
ishin territoret e Shqipërisë; të njoftojë opinionin
botëror me argumente të forta e shkencore për lashtësinë
e popullit shqiptar; se shqiptarët janë të zotët dhe
se kanë aftësi të qeverisin të pavarur etj.
Kâmûs al-a'lâm, kjo vepër madhështore,
të cilën Sami Frashëri e shkroi në kohën e pjekurisë
së tij shkencore, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve,
me cilësinë dhe saktësinë faktografike do të vazhdojë
të mbetet edhe më tutje vepër shumë e nevojshme për
historiografinë përgjithësisht, e për shumëçka
burim i dorës së parë, kurse autori i saj, Sami Frashëri,
shkencëtar në suaza ndërkombëtare.
Shënime rreth përgatitjes së veprës:
- Lëndën e kësaj vepre e kemi radhitur sipas rendit
alfabetik, përveç artikullit “Shqiptarët”, të cilin,
duke e konsideruar si njësi të përgjithshme, por që
duhet të zë vend këtu, e kemi vënë në fillim.
- Për arsye sqarimi e plotësimi, jemi përpjekur të
japim edhe shënime plotësuese. Këto shënime mund t'i
vërejë vetë lexuesi.
- Sami Frashëri këtu i shënon vetëm vitet sipas
hixhretit. Për arsye sqarimi ne i shënojmë edhe vitet që
janë në përdorim te ne. Numri i parë tregon vitin sipas
hixhretit.
- Terminologjinë historike të përdorur në këtë
vepër e shpjegojmë në fund të veprës në formë
të fjalorit. Për shpjegimin e kësaj terminologjie jemi mbështetur
në: Evlija ^elebi, Putopis, Sarajevo, 1979, fq. 588-667 (përgatitur
nga Hazim Shabanoviqi); ¼. Sami (Sami Frashëri), Kamus-i Türki,
Istambul, 1978 (ribotim); Joseph von Hammer, Historija turskog (Osmanskog)
carstva 1-3, Zagreb, 1979 (në gjermanisht për herë të
parë është botuar më 1836 në katër vëllime);
Nerkez Smailagi}, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990 etj.
Prishtinë, qershor 1992.
Mehdi Polisi
Faqja e parë e vëllimit të parë të Kâmûs
al-a'lâmit,
Stamboll 1889
SHQIPTARËT
Janë një komb që banon në anën perëndimore
të Gadishullit Ballkanik d.m.th. të Rumelisë së Shtetit
Osman. Fjala “arnaut” rrjedh nga fjala greke “arvanit”. E kemi sqaruar
se edhe kjo fjalë është marrë nga fjala “arban” të
cilën e përdorin shqiptarët. (për “arban” dhe “arbanija”
flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut) .
Ky komb banon në Gadishullin Ballkanik që nga kohët
shumë të hershme që nuk ka mundur ta shënojë historia.
Kjo është dëshmuar shumë herë. Ndonëse ka
qenë në raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën,
gjithmonë ka jetuar i ndarë nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar
të përzier me kombe dhe popuj të tjerë dhe, meqë
asnjëherë nuk është shikuar si i bashkuar dhe se ka
gjuhën e tij kombëtare, deri më tash (lexo në kohën
e S. Frashërit - M.P.) ka mbetur në një gjendje të
panjohur. Ndonjëri nga historianët evropianë mendon se ky
popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana e Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani;
ndonjëri thotë se rrjedhin nga sllavët, kurse ndonjë
del e thotë se shqiptarët janë një popull që ka
mbetur në një gjendje të egër e që rrjedh
nga grekët. Çdonjëri prej tyre, pa dyshim, është
larg të vërtetës. Edhe disa historianë tanë kanë
supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka ardhur
nga Arabia. Ç'është e vërteta, të gjithë
këta e kanë ditur që në gjuhën e tyre ka ngjashmëri
me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten ose që ka
fjalë të përziera, por kanë menduar se këto fjalë
janë marrë nga ato gjuhë. Më në fund, kur disa
studiues të mirëfilltë evropianë u thelluan në
studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në çfarë raporti
qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me
gjuhët: latine, sllave, gotike. persiane dhe sanskrite. Duke marrë
në shqyrtim esencën e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht
edhe historinë e tyre, kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e
popullit shqiptar, prej nga ka ardhur dhe çka u bë me të.
Kjo çështje që kishte mbetur me shekuj në një
gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është zgjidhur
në tërësi dhe është vërtetuar se kombi shqiptar
është njëri nga degët më të lashta të
kombeve të Azisë dhe të Evropës të quajtur “Aria”.
Nëse i jepet rëndësi çështjes së fjalëve
shqipe që janë në lidhje dhe të ngjashme me gjuhën
e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe gjer-mane, pastaj me
të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të cilat rrjedhin nga
këto gjuhë, në njërën anë, dhe me gjuhët
persiane, zende dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu
do të zgjasë shumë dhe për lexuesin tanë, meqë
do të flitet për dy çështje abstrakte (të panjohura),
do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të themi që,
po të bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve
të gjuhës shqipe, do të mbesin shumë pak fjalë
që nuk do të kenë raporte dhe ngjashmëri me një
ose me disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo,
nuk mund të konstatohet në mënyrë bindëse se këto
fjalë janë marrë nga ndonjë gjuhë tjetër,
sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore
të të cilave janë në gjuhën shqipe, dallohen nga
format rrënjore të fjalëve të gjuhës së vjetër
greke dhe latine. Edhe ky është një argument që provon
se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e vjetër
greke dhe ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më
i vjetri. Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë
shqipe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite më shumë
se të gjitha gjuhët e tjera ariane të Evropës, tregojnë
se gjuha shqipe nuk është e një dege me gjuhët latine,
greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë
e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur
nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të
tjerë arianë.
Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë
të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur
nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe
kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre
në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në
Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në
brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në
të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq,
nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të
gjata kohore. Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë
në Evropën Perëndimore, është nga të parët
që ka ardhur. Ja pra, edhe shqiptarët është e mundshme
të kenë ardhur në ato kohë, d.m.th. ose pak para, ose
pak pas tyre. Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa
ngjashmëri të tjera specifike tregojnë qartë se këta
dy popuj kanë ardhur njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit.
Keltët u vendosën në perëndim, kurse shqiptarët
në lindje të Evropës. Ndërkaq, shumë më vonë,
në veri të Evropës erdhën e u vendosën totonët
dhe sllavët. Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh”
ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës
shqipe “plak” (ar., turq. ihtijar dhe kadim) që, sipas historianëve,
u jepej atyre që ishin të vjetër, Sido që të jetë,
ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në
të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët
perëndimore të Anadollit.
Helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën
nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë,
prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të
kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që,
duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte
ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe
nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por
mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë
dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët
dhe u asimiluan.
Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që
do të shihet në vazhdim, ishin të ndarë në katër
degë:
1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë
së Vjetër deri në pikën më në veri të
gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme
, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci.
2. Maqedonasit (e lashtë - M.P.); banonin në pjesën
e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në
malin Rodop, lumin Karasu dhe Detin Egje, d.m.th. në anën
e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit.
3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë,
Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit
Danub.
4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët
nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas.
Katër popujt që i numëruam, është argumentuar
bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm
se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në
veti dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën
anë, dhe trakasit me frigasit, në anën tjetër.
Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve
ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre katër
popujve ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit
dhe heronjtë grekë ishin tubuar për ta sulmuar mbretin trojan
që konsiderohej nga frigiasit, historikisht është vërtetuar
se shumë nga Maqedonia e lashtë dhe Trakia u kishin shkuar në
ndihmë trojanëve kundër grekëve. Disa emra që
ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë maqedonase,
frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët
e gjuhës shqipe që përdoren sot. Veçanërisht
Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë
se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu,
kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke,
që është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë
se është fjalë shqipe “bukë” (turq. ekmek) që
përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Edhe Straboi që
ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë,
duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit (e lashtë -
M.P.) janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën
gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe
të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët
(qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet
dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në
një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat
pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë
“plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja”
dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me
këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet
e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i
rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që
i quajnë “plakonja” (pleqni - M.P.).
Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt
që u përmendën më lart rrjedhin nga pellazgët,
poashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë
gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur
(regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë qe
dy mijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në
kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është
vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri). Përveç
kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe më shumë
fakte e argumente që provojnë se pellazgët e vjetër
dhe shqiptarët e tashëm janë të një race dhe kanë
gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët e vjetër
grekë tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër
dhe të romakëve janë marrë nga pellazgët e vjetër.
Edhe emrat e perëndive romake e greke, sikurse është treguar
qartë, janë të pellazgëve, pra, të shqiptarëve
të vjetër.
Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia
dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t'i zmadhoj
gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund
të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh
që shtrihej nga Trieshta deri në Sivas, pra në dy territore
të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke
qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit,
Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë
të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe
u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj,
duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të
Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina
dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të
cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën
jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore
të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme (lexo:
në kohën e Samiut - M.P.).
Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që
i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë
kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë.
Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise
të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin. Po t'i shikojmë
të dhënat historike të Strabonit, vërejmë se -
thotë Samiu - mënyra e jetesës së tyre që ka qenë
në ato kohëra, vazhdon edhe sot në Malësinë
e Dibrës dhe të Shkodrës. Për këtë arsye,
duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë
një shtet ose të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare
ose të krijojnë një letërsi kombëtare. Edhe njerëzit
e mëdhenj (të ditur) që ka pasur ky popull, kanë qenë
të detyruar të mësojnë në ndonjë gjuhë
tjetër dhe me atë gjuhë kanë qenë të shtrënguar
të gjenden në punët shtetërore. Në këtë
mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë
në ngritjen dhe famën e popullit që i kanë takuar.
Të jetuarit në këtë mënyrë, ka ruajtur në
gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre
dhe ka qenë shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime.
Shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise
dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e tyre dhe nga
këshillat pleqërorë, nuk është dokumentuar historia
e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri
ishte në Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret
e Janinës dhe, i treti në një qytet të vjetër
Pella i cili ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit
të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si shtet i
Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht
(për Maqedoninë flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut).
Ky shtet u bë i njohur me ngjarjet shumë të mëdha që
mund t'u thuhet madje të jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i
menjëhershëm i shumë vendeve të botës që
nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë kohë
e deri në Indi nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq.
Iskender Zülkarnejn) i biri Filipit. Vetëm se për shkak
të rrethanave të njëjta që u përshkruan për
shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar në gjuhën greke.
Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë ushtarët
që merrnin pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë
ishte maqedonas për nga origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është
e ditur se ai nuk i ka dashur grekët, i ka konsideruar popull të
madh. Mbreti më i njohur i mbretërisë së Epirit ishte
Pirroja, i cili dy herë i kishte mundur romakët. Edhe pse kishte
ngadhënjyer dhe ishte zgjëruar deri në Greqi dhe Egjipt,
dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më tepër,
kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që
kishte gjetur nga babai i tij. Edhe nga mbretërit e Ilirisë që
kishin fituar famë më të madhe, ishte mbretëresha Teuta
dhe mbreti Genci i Parë (Gjençoja) = kështu e përdor
Samiu në: “Shqipëria çka qenë...” - M.P.).
Shqiptarët, të cilët së bashku me Lekën e
Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënshtrohen lehtë
romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të
vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha,
për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra
mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi
në Romë. Ja, që nga ajo kohë filloi fatkeqësia
e këtij populli. Nga njëra anë u gjendën nën romakët,
nga ana tjetër, për të mos u marrë nëpër
këmbë nga avarët, hunët dhe popuj të tjerë
gjakpirës, shkatërrimtarë dhe të egër, të
cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe sulmuan
nga anët veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende
malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë
vendet pjellore dhe të rrafshta, kurse një pjesë, duke braktisur
në tërësi atdheun e tyre, u detyruan të ikin në
Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore
dhe në ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve,
afër gjysma e kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht,
në ujdhesat greke dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq,
ata që mbetën në Shqipëri u tërhoqën në
vende të sigurta natyrore. Meqë gjithnjë jetonin me armë
në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe
bizantinë. Në të vërtetë, këta udhëhiqeshin
në mënyrë të pavarur nga kryetarët e vet, sikurse
në të kaluarën dhe këta kryetarë dalëngadalë
merrnin gradën e princit ose mbretit. (...) Edhe disa qytete dhe kala
që ishin në brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve.
Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në
pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve Osmanë
dhe luftëtarëve muslimanë. Sado që disa prej princave
deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke parë forcën dhe
potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë, prandaj gati të
gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin
disa privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo,
më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta
princa, të cilët vetë e njohën atë për prijës
dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht
trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit
e tjerë të krishterë të Evropës, me qëllim
që ta prëdorin si mbrojtës, atë e trimëronin dhe
e stimulonin të luftojë kundër turqve osmanlinj. Ndonëse
i premtonin se do t'i shkonin prapa dhe se do t'i ndihmonin, këtë
nuk e bënë kurrë. Skënderbeu hyri në luftë
me Osmanlinjtë. Luftoi 40 vjet rresht . Duke u bazuar në pozitën
strategjike natyrore të vendit dhe, duke besuar në premtimet
e Papës dhe të mbretërve evropianë, ndonëse e
shihte se ata dëshirojnë ta përdorin si një mjet, të
futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet në
zjarr e flakë plot gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut,
tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman. Edhe
gjatë asaj kohe disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën
për në Kalabri dhe Siqeli të Italisë, e një pjesë
prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë,
Marsej, bile edhe në Spanjë. Vetëm se ata që u vendosën
në Kalabri dhe Siqeli, meqë formuan fshatra të pastra shqiptare,
kanë ruajtur deri më tash gjuhën racën dhe fenë
e tyre, numri i të cilëve arrin përafërsisht 250 mijë
(dyqind e pesëdhjetë mijë).
Kështu, pasi shqiptarët hynë nën administratën
osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë
menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame. Pas pranimit
të Fesë islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët
filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të
shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë,
kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në ortodoksë
dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën
shtetit romak dhe bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën
e Madh, i cili ishte bashkëkombës i tyre, u bënë të
përbashkët me osmanlinjtë, kaluan në ngritjen dhe famën
e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe nidhmës
në zgjërimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën
e formimit të ushtrisë së rregullt e të organizuar
të gjithë shqiptarët ishin pjestarë të ushtrisë
së armatosur të përhershme të shtetit. Kur urdhëronin
këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të
shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman),
duke i çmuar lartë shërbimet dhe miqësinë e
tyre, ua besonte pozitat më të larta shtetërore. Shqiptarët
morën pozita të larta në shtetin Osman; vetëm pashallarë,
të cilët u bënë sadriazema (kryeministra) ishin 25,
madje, në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën
e Sulltan Selimit të parë dhe Sulltan Sulejmanit, arritën
të bëhen sadriazema nga pesë herë. Sinan Pasha, i cili
me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe në Açin
e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë kohë,
e shpëtoi Shtetin Osman nga shkatërrimet më të mëdha,
pastaj, Qypërli Mehmed Pasha me fëmijët dhe nipërit
e tij, me ndihmën e Zotit, patën sukses të ngadhënjejnë
në rrethimin e Vjenës dhe Shtetit Osman t'ia kthejnë përsëri
renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e të tjerët,
ishin personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë
(të popullit shqiptar - M.P.).
Shqiptarët në përgjithësi janë shtatlartë,
ashtgjerë dhe me nerva të forta dhe veçanërisht dallohen
me kokën e tyre të madhe dhe ballin e lartë, gjë që
vërteton zgjuarsinë e madhe natyrore të tyre. Me të
vërtetë fëmijët shqiptarë që dërgohen
për të mësuar dhe për t'u edukuar, ndonëse kanë
mësuar në gjuhë të huaja, është parë
që për një kohë shumë të shkurtër kanë
përparuar. Kombi shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj,
si p.sh. Ali Efendi Gjakovën dhe Hoxha Tahsinin, të cilët
vdiqën tash vonë, pastaj edhe shumë shqiptarë që
u dalluan me zgjuarsinë dhe dituritë e tyre të cilët
ishin të barabartë me ata të Universitetit të Athinës
dhe Romës. Janë dëshmuar edhe aftësitë e shqiptarëve
të krishterë të Greqisë dhe të Italisë. Kapedanët,
kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët
në mënyrë vetëmohuese morën pjesë në
revolucionin për pavarësinë e Greqisë, prej të
cilëve më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari,
Bollgarisi, Bubulina, ishin shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë
prej atyre që ia zbardhën fytyrën dhe i ndihmuan Garibaldit
në bashkimin nacional italian ishin shqiptarë të Italisë.
Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht, shqiptarë ata që ende
udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë drejtuar
flotën e tyre, poashtu edhe nga shqiptarët që janë
në Itali ka shumë njerëz të ditur, të vyeshëm,
poetë, shkrimtarë etj. Nga ky popull arritën të bëhen
edhe papë, siç është Klemani i njëmbëdhjetë.
Mendoj që mjafton të përmendet se nga ky komb është
zotëri Krispi, i cili e udhëheq diplomacinë e Italisë
edhe në ditët e sotme.
Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur
doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen
e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë
të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për
mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të
ruajtur fjalën e tyre të dhënë. Vetëm se për
pak gjë dhe për çështje shumë të parëndësishme
bien në mosmarrëveshje. Janë seriozë dhe të sinqertë,
nuk duan shaka të tepruara, tallje dhe fjalë të parëndësishme.
Ecin shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje elegente
dhe qëndrim krenar. Gratë shqiptare janë shumë të
bukura dhe shtatgjate, sidomos janë të bollshme dhe pak me fytyrë
burrërore. Në çështje të moralit janë shumë
të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado pak del
jashtë moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të
afërmit. Gratë shqiptare janë shumë punëtore dhe
të denja. Në shtëpi kanë pavarësi të plotë,
kurse burrat konsiderohen si musafirë. Meqë i kushtojnë
shumë rëndësi çështjes së prejardhjes së
familjes (sojit), të gjithë, për t'i dhënë vajzat
e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang,
shpeshëherë i japin larg. Nuk e kanë zakon t'u japin vajzave
të tyre pjesë nga pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë
bëhen nga ana e burrit . Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë
të forta, më shumë i kushtojnë rëndësi punës
dhe nuk kanë fanatizëm. Janë të ruajtura dhe të
pranishme edhe sot disa zakone dhe rite të mbetura nga feja e vjetër,
qoftë te muslimanët, qoftë te ortodoksët. Në mes
njerëzve që u takojnë feve të ndryshme ka një
dashuri dhe mirëkuptim të plotë.
Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë
dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen
me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën
veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën
jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit
është si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes
dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në
të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në
thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë
e kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë
disa libra në prozë dhe poezi me tematikë fetare katolike
të shkruara para 400-500 vjetësh; poashtu ekzistojnë disa
këngë popullore të ruajtura që nga shekulli XV. Dallimet
e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë vetëm në atë
se janë përdorur në atë kohë; tash në vend
të tyre muslimanët përdorin disa fjalë e shprehje arabe,
kurse të krishterët disa fjalë e shprehje greke. Edhe pas
pranimit të Islamit në Shqipëri kemi shumë poetë
e shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të
ndryshme nga lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize),
pastaj mevludin për Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë
etj. Të gjitha këtyreve mund t'u thuhet, zakonisht, një
letërsi. Mirëpo, meqë muslimanët kanë shkruar
me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe katolikët me
alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me
fjalë dhe shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin
e letërsisë të popujve të huaj, letërsia kombëtare
shqiptare nuk ka mundur të zë vendin e saj të meritueshëm.
Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që, së paku, kanë
mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë, kanë
mundur të zënë këtë vend. Ortodoksët, të
krishterët toskë, ishin duke u greqizuar, sepse, që atëherë,
vazhdimisht punonin dhe mësonin sipas shkencës greke. Edhe insti-tucionet
greke ndihmuan në këtë dhe, sado që te një pjesë
arritën deri diku të ndikojnë të harrojnë gjuhën
e tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip
që i kanë sistemuar më vonë. Në Toskëri janë
hapur disa shkolla të posaçme për të mësuar
shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar në ruajtjen
e kombit. Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan
ta urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën
e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë
e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e
tyre, filluan të përparojnë.
Shqiptarët që janë në shtetin Osman janë rreth
2 milionë, prej tyre 2/3 janë të besimit islam. Edhe shqiptarët
që janë në Greqi dhe në Itali janë mbi 500 mijë.
Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më tepër
në vendet malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk
mund t'i furnizojnë me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej
tyre merren me zanate dhe tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit
në çdo anë të shtetit Osman, pastaj duke shërbyer
me rrogë në ushtrinë osmane dhe në xhandarmëri,
shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke
qenë larg grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të
tyre, vonë, e disa duke u martuar jashtë vendit të tyre,
duke u shpërngulur e duke marrë pjesë vazhdimisht nëpër
luftëra bëri që numri i tyre të mos jetë i madh.
Nga të parët që e kanë bërë të njohur
në Evropë kombin shqiptar, origjinën dhe gjuhën e tyre,
kanë qenë dr. Hahni, i cili një kohë të gjatë
ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull
i Austrisë; linguisti i famshëm Bopi, Dora d'Istria, e cila është
vetë shqiptare dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si
princa në Rumani, pastaj shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri
Krispi, Kamarda, De Rada e të tjerë, të cilët
kanë shkruar shumë vepra në gjuhët gjermane dhe italiane,
përkitazi me shqiptarët .
ABAZ PASHA
Është valiu i tretë i dinastisë së Mehmed Ali
Pashës në Egjipt. Është djali i Tosunit të Mehmed
Aliut. Lindi në vitin 1220/1805 .Pas vdekjes së mixhës së
tij, Ibrahim Pashës në vitin 1255/1848 dhe tërheqjes së
gjyshit, Mehmed Aliut, në Stamboll, këtij, biografia e të
cilit po shkruhet këtu, iu dha fermani i Valiut. Kështu, pasi
qeverisi territoret e Egjiptit pesë vjet, deri në vitin 1270/1853,
në këtë vit papritmas vdiq. Këtë e trashëgoi
mixha i tij Seid Pasha. Ishte njeri i shëndoshë .
ABDYL BEU (FRASHËRI)
(Abdullah Hysni beu i biri i Halid beut)
Është vëllai i madh i autorit të ngratë
i njohur dhe i quajtur frashërli. Lindi në kohën e ardhjes
së lartmadhërisë së tij Sulltan Abdylmexhidit në
fron, d.m.th. në vitin 1255/1839 në katundin Frashër (i
cili është qendër e nahisë së Dangëllisë
në kazanë e Përmetit, që i takon sanxhakut të
Gjirokastrës së vilajetit të Janinës). Që kur
i kishte 14 vjet u gjend në kufirin e Greqisë me ushtrinë
ndihmëse së bashku me babain e vet. Aty kohën e qetësisë
dhe të lirë e kalonte duke mësuar. Kur i kishte 18 vjet,
i vdiq i ati dhe kështu ai mbeti mbikëqyrës i familjes shumanëtarëshe.
Për shkak të mbajtjes së familjes, ishte i shtrënguar
të punojë në Drejtorinë për mbledhjen e tatimit
(xhelepit), në Sekretariatin për mbrojtjen sociale dhe në
detyra të tjera. Pas dy vitesh, kur i vdiq edhe e ëma , për
ta mundësuar shkollimin e pesë vëllezërve të tij
më të vegjël , lëshoi vendlindjen dhe u transferua
në Janinë. Këtu, përveç që merrej me punët
e tij zyrtare, si dhe me kujdesin dhe furnizimin e familjes, në kohën
e mbrëmjes, së bashku me vëllezërit e tij në formë
bisede e konsultative, mësonte dhe ushtronte gjuhët: arabe, persiane,
frënge dhe greke si dhe veprat letrare. Pasi vëllezërit
e tij e mbaruan shkollimin, ai në moshën 35 vjeçare u
martua. Meqë u ballafaqua në disa tentime dhe kërcënime
nga ana e Greqisë lidhur me çështjen e ndërrimit
të kufirit grek (në dëm të Shqipërisë - M.P.),
së bashku me disa personalitete tjera të Janinës, duke marrë
leje, u kthye në vendlindje. Që nga ajo kohë nuk mbeti pa
shpenzuar pasurinë dhe fuqinë kundër aneksimit të anëve
të Janinës dhe të Prevezës Greqisë. Në këtë
çështje tregoi një kujdes dhe një vullnet të
jashtëzakonshëm. Për këtë qëllim ai shpenzoi
edhe pasurinë prej disa mija lirash që sa e sa vite i kishte
mbledhur me mundim dhe me punë. Argumentonte se anët e Janinës
dhe të Prevezës kurrë nuk i kanë takuar dhe nuk kanë
qenë të lidhura me Greqinë. Duke shëtitur nëpër
kabinetet e shteteve të mëdha, së bashku me Mehmet Ali bej
Vrionin (pastaj pasha), arriti që në këtë çështje
të tregojë të vërtetën. Në saje të përpjekjeve
dhe zgjuarsisë së tij, duke kundërshtuar vendimin e Kongresit
të Berlinit për çështjen e ndërrimit të
kufirit të Greqisë, anët e Janinës dhe të Prevezës
mbetën në kuadër të shtetit Osman. Po ashtu, meqë
kundërshtonte edhe qëndrimet dhe pretendimet e Serbisë dhe
të Malit të Zi ndaj Shqipërisë, inkuadrohet në
“Komitetin e Lidhjes” që ishte formuar në Prizren. Atëherë
ra në një gjendje të vështirë, sepse duke u komentuar
mbrapsht qëllimet e tij të vërteta dhe patriotike nga ana
e disa qëllimkëqinjëve (Nga ana e atyre që nuk ia duan
të mirën as vetes), tre vjet qëndroi i burgosur në
kalanë e Prizrenit dhe në kohën prej afër dy vjetësh,
së bashku me familjen e tij qëndroi në Ballëkesir dhe
në Bandërma . Më 1303/1885, duke kërkuar falje te sulltani,
vjen në Stamboll. Pas një kohe u caktua anëtar në Këshillin
e sigurimit të qytetit (Stambollit - M.P.). Por, nga mundimet dhe
torturat e vazhdueshme në burgun e Prizrenit dhe nga sëmundjet
e tjera e pastaj edhe nga brengat e mërzitë, e kaploi sëmundja
e parakohshme e pleqërisë. Pasi katër vjet e kaloi kohën
si rob i shtratit, më 1310/1892 vdiq dhe i ndjeri tash është
në varrezat e Merdiven-köz-it.
Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, ishte i durueshëm
dhe i mësuar në mundimet dhe torturat trupore; ishte trim i madh;
ishte i prirur dhe i gatshëm të bëjë të mira të
llojllojshme; ishte bamirës dhe shpirtgjerë; ishte bujar dhe
fisnik; ishte një njeri që më shumë e donte rehatinë
për të tjerët sesa për vete. Madje edhe vdekja e tij
ishte madhështore ashtu sikurse edhe jeta, sepse dha shpirt duke folur
dhe duke thënë fjalë burrërore dhe këshilla të
arsyeshme, me vend. Ky përshkrim imi nuk është shkak, motiv
i ndjenjave vëllazërore, por shpresoj se ata që e njohin
më për së afërmi do të pohojnë se janë
të vërteta. La trashëgimtarë të mirë një
djalë dhe një vajzë të vogël , të cilët
i la nën kujdesin tim (të Samiut - M.P.) .
AHMED PASHA
Është nga vezirët i cili u përparua në gradën
e kryeministrit (sadriazem) në kohën e Kanuni Sulltan Sulejmanit
. Është shqiptar, poashtu. Nga oborri i Sulltanit doli me gradën
kapuxhi-bashë , e më pastaj u bë aga i jeniçerëve
dhe bejlerbe i Rumelisë. U bë dhëndërr i sadriazemit
(kryeministrit) Rrustem Pasha. Sado që u dërgua serdar (komandant
ushtarak) në anët e Rumelisë, nuk u paraqit dot në
këtë shërbim. Në vitin 987/1579 u avancua në gradën
e sadriazemit, por, pas gjashtë muajsh në këtë post,
vdiq nga një sëmundje e rëndë. Sado që ishte shumë
pasanik, nuk ishte i respektuar nga masa. Ishte një njeri i pa marrur
vesh dhe i panjerëzishëm; kishte shprehi të hidhërohej
vend e pa vend .
AHMED RIFAT PASHA
Është djali i Ibrahim Pashës (nipi i Mehmed Ali Pashës
- M.P.). Lindi në Egjipt në vitin 1241/1825. Mori pjesë
në luftërat e Sirisë bashkë me babain e vet, mirëpo
për të vazhduar studimet, u dërgua në Paris në
akademinë ushtarake. Kur i vdiq i ati, u kthye për në Egjipt.
Partia e cila ishte kundër Abaz Pashës , që ishte në
krye të qeverisë, duke pasur për qëllim ta ndihmojë
vendin nga ajo që kishte mësuar, këtë deshti ta vë
në krye të detyrës. Edhe pse ai nuk u përzie në
këtë punë, kur pa se ngjalli dyshimin te Abaz Pasha, më
1267/1850 vjen në Stamboll me ç'rast Abdylmexhidi e pat nderuar
me gradën gjeneral (ferik). Pas tre vjetësh kthehet në Egjipt
për t'u bërë vali i Egjiptit te Seid Pasha. Qe emëruar
anëtar i Mexhlisit (Këshillit) e pastaj, anëtar i Riasetit
(Kryesisë). Pas Seid Pashës iu caktuan pozita të larta në
vilajet, mirëpo, duke qenë në këto pozita, më
1273/1856 me rastin e fundosjes së një vagoni në lumin Nil,
në të cilin ndodhej edhe ky, u mbyt .
AJAZ PASHA
Ishte nga burrat e kohës së Javuz Sulltan Selimit. Në
pozita të larta shtetërore (sadriazem) arriti në kohën
e Sulltan Sulejmanit. Është shqiptar. Nga oborri mbretëror
doli me gradën aga, e pastaj u bë aga i jeniçerëve
(komandant i jeniçerëve). Në ekspeditën e Egjiptit,
përveç që tregoi trimëri dhe shkathtësi, pati
sukses edhe në dhënien e disa propozimeve të dobishme, prandaj,
fitoi simpati dhe dashuri te padishahu i sipërpërmendur. Pasi
erdhi në fron Sulltan Sulejmani, u bë bejlerbe i Anadollit. Pas
kryengritjes së çerkezit Xhanberdi Gazaliut dhe vrasjes së
tij, u emërua edhe vali në vilajetin e Sirisë (Shamit).
Në pushtetin e Rodosit ishte bashkë me padishahun e tij. Këtu
tregoi dhe pati rezultate shumë të mëdha. Mirëpo, ndërkohë
ra në sy të keq te padishahu. Sado që u avancua në
grada dhe sado që u burgos, së shpejti u fal dhe iu kthye grada
dhe detyra e nëpunësisë. Mori pjesë në ekspeditën
e Moldavisë , pastaj edhe në rrethinën e Korfuzit bashkë
me Hajredin Pashë Barbarosën. Meqë tregoi rezultate dhe
shërbime të shkëlqyeshme, më 942/1535, ndonëse
ishte veziri i dytë (me gradë), bëhet kryeministër
(sadriazem) në vend të Ibrahim Pashës. Ashtu siç
ishte i suksesshëm në udhëheqjen e punëve shtetërore
me drejtësi të plotë në postin e kryeministrit që
i zgjati katër vjet, poshtu ishte i njohur për të mos nënçmuar
dhe për të mos fyer askënd. Më 946/1539, pas një
sëmundje që i paraqitet duke qenë në postin e kryeministrit,
vdiq. Nuk ka ndonjë të metë në jetën e tij, përveç
se ka qenë feminist i madh. Kur vdiq i kishte më se 20 fëmijë
. Nuk mund të tregohet saktësisht se cila ishte vendlindja e
tij në Shqipëri. Sipas disa fakteve historike, thuhet se vëllezërit
e tij dijetarë kanë jetuar në Vlorë dhe është
e sigurt se ka prejardhje nga ato anë .
AJAZ PASHA
Edhe ky është shqiptar. Është vëllai i kryeministrit,
Sinan Pashës, i njohur si pushtues i Jemenit. Gjatë kohës
së Sulltan Sulejmanit u caktua bejlerbe i Erzurumit. Për shkak
se ia mundësoi dhe ia lehtësoi ikjen për në Iran Shehzade
Bajazit Han-it, i cili shpalli kryengritje në Anadoll, më 966/1558
në Erzurum u dënua me vdekje nga ana e Sulltan Selimit të
Dytë. Djali i tij Mustafa Pasha gjendej në luftën e Vllahisë
me mixhën e tij Sinan Pashën .
ALEMDAR OSE BAJRAKTAR MUSTAFA PASHA
Eshtë nga vezirët që kaloi në postin e sadriazemit
në fillim të ardhjes në fron të Sulltan Mahmut Hanit
II. Është nga Rushçuku dhe sipas një varianti është
shqiptar. Në kohën e Sulltan Mustafa Hanit, tuboi një
grup ushtarësh për të marrë pjesë në ekspeditën
ushtake kundër Rusisë. Meqë e mbante flamurin (bajrakun)
në këtë ekspeditë, u bë i njohur me emrin alemdar
ose bajrakdar. Më pastaj, në dredhi të Pasbanogllit , i
ndihmoi Tersnikli-zades, ajan i Rushçukut dhe me ndërmjetësimin
e tij u emërua anëtar në Këshillin e Rezgredit
dhe u shpërblye me gradën kapuxhi-bashë. Më vonë,
kur u vra Tersnikli-zade, ajanët e atyre anëve dhe ithtarët
e të përmendurit e panë të arsyeshme (u pajtuan) që
Bajraktar Mustafai të kalojë në Këshillin e Rushçukut
në vend të tij. Zaten, që atëherë vetë u
bë i njohur me trimëri dhe guxim, kurse me tregtinë e gjedhave
dhe me punimin e tokës u bë pasanik i madh. Meqë ishte bujar,
fisnik dhe zemërgjerë, fitoi famë të madhe në
tërë territorin e Rumelisë. Fuqia e forca e tij si dhe armiqtë
shtetërorë ishin bërë preokupim i tij. Duke qenë
ithtar i sektës bektashiane, fitoi simpatinë e jeniçerëve.
Mirëpo, kur Sulltan Selim Hani III u përpoq të bëjë
reforma ushtarake, grupi rebelues i jeniçerëve më nuk
e përfillnin këtë, biografia e të cilit po shkruhet
këtu, sepse e gjetën në disa marrëveshje dhe korrespondenca
të fshehta (me Sulltan Selimin III - M.P.).
Më vonë, kur filloi lufta e Rusisë, u bind personalisht
se ushtria e jeniçerëve (Yeniçeri oca¤¢)
erdhi në një gjendje që më nuk do të mund
të ketë sukses në punë. Për këto shkaqe si
dhe për shkak të lëvizjes që dikur e bëri kundër
përpjekjeve për reformimin e detyrave ushtarake, ai u pendua
. Në luftën e përmendur në brigjet e Danubit qëndroi
kundër armikut me një trimëri të madhe dhe për
shërbimet e mira u shpërblye. Në vitin 1221/1806 u shpërblye
me grada të vezirit: me daulle, me flamur dhe me gunë të
padishahut... Mirëpo, mosrregullësia e janiçerëve
dhe intrigantët e tij i shkaktonin humbje, prandaj, Bajraktar ose
Alemdar Mustafa Pasha, për ta shpëtuar nga një gjendje kaotike
dhe të rrezikshme ardhshmërinë e shtetit (Osman - M.P.),
bisedoi me ushtrinë e jeniçerëve për reformimin dhe
qëllimin e Sulltan Selimit III; ua bëri me dije se nuk ka rrugëdalje,
veçse të bëhen reforma në ushtri. Duke u konsultuar
për këtë çështje edhe me disa burra shtetesh,
me ushtrinë e Rumelisë arriti në Edrene dhe propozoi që
prej aty të nxjerrë sanxhak-sherifin. Me të hyrë në
Stamboll, Sullan Mahmud Hani II hipi në fron dhe, posa erdhi ky në
fron, këtij ia besoi detyrën e kryeministrit (sadriazem) .
ALI PASHË TEPELENA
Ishte vali dhe derebeg në Janinë plot 33 vjet në kohën
e Sulltan Selim Hanit III, Sulltan Mustafa Hanit IV dhe Sulltan Mahmud
Hanit II. Ishte një vezir i cili me veprimet e tij të jashtëzakonshme,
me vrazhdësinë dhe pamëshirshmërinë e tij fitoi
famë të lartë. Lindi në vitin 1145/1732 në kasabanë
e Tepelenës në Shqipëri. Gjyshi i tij, Ali Pasha,
fitoi gradën mir-miran. Kur në luftën e Korfuzit e sulmoi
kalanë, tregoi një trimëri dhe guxim të madh, por u
vra. I la pas vetes tre djem. Të mëdhenjtë e lanë pa
trashëgimi Veli beun, babain e këtij, biografia e të cilit
po shkruhet këtu, prandaj, Veli beu ishte i shtrënguar të
merret me vjedhje. Pasi u pasurua dhe u përforcua në këtë
mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit
e tij i dogji në shtëpitë e tyre. Për këtë
shkak bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë
që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga
krahina e tyre. Më pastaj Veli beu vdiq. I kishte dy gra; me të
parën kishte një djalë, kurse me të dytën një
djalë dhe një vajzë. Bashkëshortja e dytë me emrin
Hanko, nga Konica , ishte një grua trime, energjike dhe e ashpër.
Ajo për t'iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri
marrëveshje me ish-shokët e ngushtë të bashkëshortit,
kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte
për hakmarrje dhe që të jetë sa më i ashpër
ndaj tyre. Në mes bejlerëve të kasabasë së Kardhiqit,
e cila i takonte Gjirokastrës dhe familjes së Ali Pashës
prej kohësh kishte hasmëri. Meqë kardhiqasit për Hankon,
nënën e Aliut dhe për motrën e saj, Shaensanë,
kishin hetuar disa sjellje jo të mira dhe prishje të moralit.
Hankoja, kur ishte duke vdekur, e kapi Aliun për jake dhe e këshilloi
(e porositi) që të hakmerret ndaj kardhiqasve.
Duke vazhduar rrugën e prindërve të vet, Aliu bëri
një pasuri të madhe dhe, pasi i mbushi 20 vjet u martua me Emine
Hanëmin, vajzën e Kapllan Pashës së Delvinës,
i cili ishte vali i Gjirokastrës . Atë kohë, për t'i
zhdukur bandat plaçkitëse që ishin përhapur dhe që
krijonin shqetësime në ato anë, u urdhërua Kurt Pasha,
vali i Beratit, i cili e pa të udhës ta përvetësojë
Ali beun. E mori pranë vetes dhe e shpërblente. Edhe pse i pat
premtuar se do t'ia japë vajzën, më vonë u tërhoq
nga fjala e dhënë. Kështu, meqë e bëri dhëndërr
Ibrahim Pashë Vlorën, Ali beu u nda nga ky dhe përsëri,
duke mbledhur një grup shokësh, i futi nën qeverisjen e
vet, me forcë, krahinat e Gjirokastrës, Përmetit dhe Konicës.
Dhe, atëherë iu dha fermani i lartë për ta vrarë
Kapllan Pashën e Delvinës, i cili i ishte nënshtruar Gadap
Pashës. E vrau pashain e sipërpërmendur i cili njëherit
ishte vjehërr i tij. Në ndërkohë u hap fronti i Austrisë
dhe Rusisë. Ali beu mblodhi një numër të madh ushtarësh
shqiptarë dhe shkoi në luftë. Meqë tregoi trimëri
dhe guxim të madh në fushëbetejë dhe, meqë pati
rezultate të mëdha, u emërua mutesarrif në mutesarrifllëkun
e Terhallës me gradën mir-miran.
Ali Pasha kur u bë mutesarrif i Terhallës, bëri përpjekje
që nën qeverisjen e vet ta fusë edhe Janinën. Në
fund, në vitin 1203/1788 posa u caktua me detyrë të vezirit
në vilajetin e Janinës, Ali Pasha në njërën anë
u përpoq të hakmerret ndaj armiqve të vjetër dhe t'i
zgjerojë kufijtë e në anën tjetër, vendet që
janë nën qeverisjen e tij t'i izolojë nga njerëzit
dhe kryetarët me autoritet, të cilët do të mund t'ia
ndryshonin punët dhe planet e tij. Ia drejtoi ushtrinë Ibrahim
Pashës i cili kishte kaluar në vend të Kurt Pashës,
vetë atë e zuri rob dhe e mbajti në një qeli të
errët të kalasë derisa vdiq, kurse vajzat e tij i mori me
forcë dhe i martoi me djemt e vet, me Muhtarin (në gjuhën
shqipe shqiptohet Myftar - M.P.) dhe Veliun. Ibrahim Pasha i sipërpërmendur,
duke qenë një personalitet shumë i sinqertë, i ndershëm
dhe i moralshëm, i lutej atij (Ali Pashës - M.P.) për shpëtimin
e tërë popullit, mirëpo ai, përkundrazi, edhe më
tepër i shtonte torturat e të mjerëve sa që kur nga
Porta e Lartë shkoi urdhëri i prerë që Ibrahim Pasha
të qeverisë në vilajetin e Beratit, Aliu, sipas një
versioni, e vrau atë të ngratë me dorën e vet, por
raportoi se ai ka vdekur nga një vdekje e zakonshme. Kështu i
zgjeroi kufijtë nga ato anë deri në Elbasan dhe Dibër,
të cilët i vuri nën kontrollin e vet. Poashtu, nën
qeverisjen e tij, përveç krahinave të Jenishehrit, Terhallës,
Moresë dhe Agribozit i futi edhe krahinat e Greqisë. Fëmijët
e vet, Myftarin me gradën mir-miran, kurse Veliun me gradën e
vezirit i patë emëruar në mytesarrifllëkun e Terhallës.
Kasabatë e Pargës dhe Pervezës, nga Republika e Venedikut
kishin rënë nën qeverisjen e Francës. Ali Pasha ua
mori Pervezën me luftë francezëve. Ndërkaq, Parga,
pas rënies, së Napoleonit kishte rënë nën qeverisjen
e Anglisë. Prandaj, këtë e mori nga anglezët.
Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë
i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen
dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi
rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura
si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo,
ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve
të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më
trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi.
Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër
i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë
djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i
zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai
vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë
ta dënojë me vdekje sipas rregullës “krye për krye”.
Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është
një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës.
Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje
me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për
shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve
të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty. Ndërkaq,
një grup prej tyre me propozimin e tyre, natyrisht për të
shpëtuar jetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre
ishin të shtrënguar t'i lënë shtëpitë e tyre
dhe të ikin. I shpërndante nëpër vise të tjera
të botës. Të varfërit assesi nuk mundnin të çonin
krye nga punët angari. Vajzat dhe gratë e bukura i fajësonte
duke konsideruar se shkaktojnë fatkeqësi, prandaj ato ishin të
detyruara të fshihen. Meqë vetë ishte injorant, gjithnjë
vepronte për shkatërrimin e diturive, edhe pse deri në atë
kohë në Shqipëri populli me vetorganizim i mbante dijetarët
dhe hoxhallarët. Bëri që të qiten në harresë
fetë. Punët administrative i lë në duart e një
grupi intrigantësh grekë. Edhe defterët, korrespondencat
administrative si dhe shkresat e instancave më të larta shkruheshin
me një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte
vetëm ai. Shkurt, përveç ushqimit që e realizonte
për çdo ditë, shkaktonte që në mes shqiptarëve
të rritet dhe të përhapet padijenia, varfëria dhe amoraliteti.
Nuk frikohej nga grekët, meqë edhe këta ishin vegël
dhe pjesëmarrës në intrigat e tij; me fanatizmin e tij ndaj
këtyre sillej në mënyrë të butë, e veçanërisht
kur humbi besimin nga shqiptarët; për të vepruar kundër
tyre armatosi një grup kapetanësh grekë. Këta pastaj,
ato armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë.
Ali Pasha duke qenë tepër lakmues dhe i etshëm për
pozita e rriti forcën dhe ashpërsinë e qeverisjes aq sa
mundi dhe kështu deshi të vazhdojë deri në fund të
jetës së tij.
Mirëpo, më në fund, zullumet e shpeshta u reflektuan
te Porta e Lartë. Edhe Pasho beu nga Janina, i cili ishte larguar
dhe kishte kërkuar mbështetje (përkrahje) në Stamboll
si i pakënaqur nga ai, përmes Halet efendiut të njohur kishte
shpjeguar për qëllimin e pavarësisë së Ali Pashës.
Në të vërtetë, për këtë u shqetësua
Gadap Pasha. Sado që ishte shpallur urdhëresë mbretërore
për largimin e thesarit shtetëror nga vilajeti i Janinës,
Ali Pasha i cili e mbikqyrte atë thesar (pasuri) në vilajetin
në të cilin qeveriste, paraqiti disa mënyra të mbrojtjes
dhe disa arsyetime që nuk do të mund të bartet nga Janina.
Këto kundërshtime si dhe mendimet e tij të shpjeguara më
lart përforcojnë shkakun e pavarësisë. Prandaj, më
1235/1819 iu drejtua ushtria nën komandën e Hurshid Pashës.
Bejlerët e Shqipërisë, zaten pjesa dërrmuese e tyre,
të pakënaqur nga ai dhe, meqë nuk ndiheshin të sigurt
i lëshuan radhët e tij dhe, meqë iu bashkuan Hurshid Pashës,
Ali Pasha me një grup të vogël njerëzish (më besnikët)
u mbyll në kala. Pasi bëri ballë një kohë, doli
nga kalaja me qëllim që të dërgohet i gjallë te
Porta e Lartë. Duke shkuar, në një manastir që ndodhej
në një ishull të vogël të liqenit (të Janinës
- M.P.), njerëzit që u dërguan nga ana e Hurshid Pashës
i përdorën armët, të cilëve, në të njëjtën
mënyrë iu përgjigj edhe ky. Me këtë rast, duke
u goditur me plumba nga disa anë, vdiq. Ia prenë kokën dhe
së bashku me kokat e tre djemve dhe një nipi ia dërguan
në Stamboll. I varrosën jashtë Silivrikapisë. Trupin
ia varrosën në kala të Janinës përballë një
pallati (saraji) që u dogj, i cili deri vonë ishte konak i pushtetit.
Ka një tyrbe të përsosur.
Nga nipërit e Ali Pashë Tepelenës, Myftar Pasha-zade
Mahmud beu një kohë të gjatë shëtiste nëpër
Stamboll si prapagandor i njohur i veshur me veshje të sektës
melamite; Veli Pasha-zade Selim Pasha u gjend muhafiz në muhafizllëkun
e Beogradit dhe në detyra të tjera të larta, ndërsa
vëllai i tij Ismail Pasha ka shërbyer në disa vilajete .
AMUXHA-ZADE HYSEJN PASHA
Është nga vezirët e Perandorisë osmane që mori
gradën e krye-ministrit (sadriazem) në kohën e Sullan Mustafa
Hanit të Dytë. Është pra, djali i mixhës
së Qyprili-zade Fazil Ahmed Pashës, i cili ishte sadriazem pas
Qyprili Mehmed Pashës. Për këtë arsye njihet me këtë
ofiq . Edhe pse jetonte mirë kur ishte në pozita të larta
shtetërore (sadriazem) mixha dhe djali i mixhës së tij dhe,
edhe pse jetonte në kushte ideale në ditët e Maktul Mustafa
Pashës , pas disfatës së Vienës që ndodhi
më 1095/1683 i ra autoriteti dhe, duke u caktuar në ejaletin
e Zevrit dhe në muhafezllëkun e Çardakut, qe larguar.
Në vitin 1100/1688, duke u shpërblyer me gradën e vezirit,
u caktua muhafiz në muhafezllëkun e Seddulbahrit dhe më
1102/1690, pasi qe caktuar kajmekam në Asitane, më 1105/1693
u internua në Sed-dulbahër. Më 1106/1694 duke marrë
gradën e kapedanit (Kapudan), tregoi guxim dhe shërbim të
mirë në pushtimin e Sakëzit. Pasi një kohë u përpoq
lart t'i kthejë rregullin dhe paqën siujdhesës së përmendur
më lart, për të dytën herë bëhet kajmekam
i Asitanes dhe komandant i ekspeditës; poashtu iu besua detyra muhafiz
i Beogradit. Më 1109/1697, kur u tërhoq për në Edrene,
ishte në pozitë të lartë (sadriazem). Sido që
të jetë, edhe pse i kishe filluar bisedimet për marrëveshje
paqësore përmes delegatit anglez, të cilat, meqë nuk
dhanë rezultate, tuboi dhe përgatiti ushtarët në Vefire
dhe qe kthyer në Beograd. Pastaj, pasi nënshkruan marrëveshjen
kthehet në Stamboll . Pas shërbimit të tij 5 vjeçar
në postin e sadriazemit me mençuri e me drejtësi të
plotë, për shkak të sëmundjes së rëndë
që e kapi, më 1114/1702 kërkoi të lirohet nga detyra.
U pensionua dhe, duke jetuar në çiflikun në afërsi
të Silivrit, po në këtë vit vdiq. Kufomën ia patën
dërguar në Stamboll. E varrosën në tyrben (mauzoleun)
e posaçëm që e kishin përatitur afër Dar-ul-Hadithit
të ndërtuar në lagjen e saraçëve. Edhe pse ishte
një ministër i drejtë dhe i mençur, meqë ishte
i dhënë pas dëfrimeve dhe kënaqësive, punët
kryesore i pat lënë në duart e ministrit të punëve
të jashtme, Rami efendiut .
AQIF MEHMED PASHA
Ishte nga vezirët eminentë të Perandorisë Osmane.
Rrjedh nga një familje e shquar tetovare, e cila është një
familje e vjetër dhe e njohur në Shqipëri. Stërgjyshi
i tij Rexhep Pasha kishte prejardhje lumjane, i cili një kohë
shërbeu si vali në Selanik. U vra në frontin e Iranit, në
kohën e Sulltan Ahmed Hanit. Edhe babai, Rexhep Pasha-zade Velijudin
Hilmi beu në ndërkohë u vra në More . Familja
e tij ka afërsi me familjen e Pejës .
Aqif Mehmed Pasha lindi në kasabanë e Tetovës
në vitin 1238/1822. Pas vdekjes së t'et, shkoi te mixha i vet
Ali Hifzi Pasha, i cili ishte vali i Shkupit. Aty u edukua dhe u shkollua.
Pas kryengritjeve që u paraqitën në Shqipëri në
fund të kohës së Sulltan Mahmud Hanit II, mixhallarët
e tij Abdurrahmanin, Hifziun dhe Hasanin, me gjithë familje i detyruan
të shpërngulen nga aty (nga Tetova dhe Shkupi - M.P.) dhe për
disa vite i vendosën në vende të ndryshme të Anadollit.
Mirëpo, disa vjet pas ardhjes së Sulltan Abdulmexhidit në
fron, i solli në Stamboll. Në vitin 1265/1848 , me kënaqësi
të madhe, me titullin haxhegjan, e emëruan sekretar në Kabinetin
ministror. Pastaj, qe shpërblyer me gradën vezir i tretë
dhe me një pjesë xhevahiri (gur i çmueshëm). Më
pastaj, në luftën e Malit të Zi, bashkë me serdar Ekrem
Omer Pashën, tregoi trimëri dhe aftësi të jashtëzakonshme.
Kështu, aftësia dhe talenti i tij i jashtëzakonshëm
shkencor, nga njëra anë dhe ai politik, nga ana tjetër,
tërhoqën vëmendjen dhe kujdesin e Reshid Pashës. Në
vitin 1269/1852 përsëri me gradën mirmiran, emërohet
mytesarrif në ejaletin e Shkupit, e pastaj bejlerbe i Rumelisë.
Në vitin 1275/1858 , me gradën e vezirit emërohet vali i
Bosnjës. Që nga kjo kohë shërbeu si veli në disa
ejalete e pastaj vilajete: në vilajetin e Danubit , Edrenesë,
Bagdadit, Konjës, Vanit, Xhezair Bahri Sefidit , nga një herë;
në vilajetin e Prizrenit dhe Janinës, nga dy herë; në
vilajetin e Selanikut dhe Bosnjës, nga tri herë. Në kohën
e Sulltan Abdulaziz Hanit hyri në Kabinetin ministror për çështje
të drejtësisë. Ndërkaq, në kohën e sulltanatit
të Abdulhamidit dy herë u zgjodh kryetar në Këshillin
e Lartë shtetëror. Në vitet e fundit të jetës,
duke qenë në-punës në vilajetin e Xhezairi Bahri Sefidit,
kërkoi të lirohet nga obligimet dhe detyrat. Një kohë
pas kthyerjes në Stamboll, më 1311/1893, në moshën
73 vjeçare vdiq. U varros në oborrin e tyrbes (mauzoleut) së
Fatih Sulltan Mehmed Hanit.
Aqif Mehmed Pasha ishte njohës i shkëlqyeshëm i letërsive
orientale. Ashtu siç kishte aftësi të jashtëzakonshme
për të thurur poezi dhe për të shkruar shkrime të
ndryshme në të tri gjuhët orientale (turke, arabe, persiane
- M.P.), dinte të flasë bukur gjuhën amtare (gjuhën
shqipe - M.P.) dhe gjuhën greke, po ashtu kishte aftësi të
shkruajë edhe në gjuhën frënge.
Ishte personaltiet që shquhej për sjellje të mirë
e moral, për fisnikëri e bujari, për drejtësi e trimëri,
e njëkohësisht kishte afinitet për letërsi.
Nga djali i tij i madh, Salih Rashid beu , i cili, poashtu, ishte nga
letrarët e talentuar të kohës dhe anëtar i Këshillit
të Lartë të Shtetit, ka informacione se ai (Aqif Mehmed
Pasha - M.P.) ka lënë disa vepra të ruajtura që kanë
të bëjnë me letërsi. Këto dy tri bejte të
nxjerrura nga një gazel i njohur i tij, janë dëshmi që
tregojnë për aftësitë e tij letrare në gjuhën
persiane .
ARABAXHI ALI PASHA
Është nga vezirët që arriti postin e sadriazemit
në kohën e Sulltan Ahmed Han-it të Dytë. Ishte nga
Ohri. Në fillim ishte i angazhuar si imam dhe kadi në disa krahina.
Ishte i njohur si Ali Hoxha, mirëpo, më vonë, duke ndryshuar
veshjen (qëndrimet), hyri në shërbim të Koxha Halil
Pashës. Duke qenë anëtar në ministrinë e
Ibrahim Pashës në Edrene, i bashkangjitet Qyprili-zade Mustafa
Pashës, i cili ishte muhafiz në Baba-Dag, ku më vonë
u bë ket-huda. Në ministrinë e të sipërpërmendurit
mbeti një kohë të konsiderueshme në këtë
funksion. Më 1101/1689 arriti të bëhet aga i bektashive;
më 1102/1690 u bë kajmekam i oborrit të sulltanit; më
1103/1691, me dëshminë (dokumentin) e Qyprili-zade Mustafa Pashës,
kaloi në postin e vezirit të madh (sadriazem). Pasi që në
këtë funksion qëndroi gjashtë muaj, për shkak
të veprimeve jo të mira, u dëbua për në Rodos.
Pas një viti në siujdhesën e sipërpërmendur, u
dënua me vdekje. Meqë në kohën e tij si vezir i madh
u bë adet që njerëzit që i dëbonin t'i çojnë
me karrocë (turq. araba), këtij iu dha ofiqi arabaxhi .
ARSLLAN PASHA
Ishte nga vezirët e kohës së Sullan Mehmed Hanit III.
Meqë ishte nga rrethina e Janinës, në vitin 1190/1776
u bë vali i Janinës. Deri në vitin 1203/1788 kur Ali Pashë
Tepelena emërohet vali i Janinës, vilajeti i Janinës ekskluzivisht
qeverisej me gjeneratën e tij. Në anën veri-lindore të
kalasë së Janinës, në një vend më të
lartë, të dukshëm dhe shumë të bukur që dilte
në liqe, Arsllan Pasha ndërtoi një xhami ideale, të
përsosur, e cila është e njohur me emrin Xhamia e Arsllan
Pashës (=turq. Arslan Pasha Camii). Në afërsi të xhamisë
kishte disa medrese dhe një falëtore (tempull) të sektit
nakshibendi. Aty gjenden varret, që në ato anë u thonë
të shenjta, të shejhave të këtij tempulli; të
shejh Ali efendiut dhe pasardhësve të tij, shejh Jusufit dhe
shejh Abidin efendiut si dhe tyrbja e shejh Sulejmanit nga Leskoviku, i
cili është poet shqiptar. Para pushtimit, në vend të
kësaj xhamie kishte një manastir me emrin “Aj Jani” ashtu që
sipas kësaj edhe qytetit të Janinës i është dhënë
emri Janja ose thënë më drejt Janina. Bejlerët e qytetit
të Janinës janë pasardhës të këtij Arsllan
Pashës. Në mes pasardhësve që qeverisnin në Janinë
ishin edhe disa personalitete të tjera të quajtur Arsllan Pasha
dhe Arsllan beg .
AZMI
Nga poetët e Perandorisë Osmane të shekullit të
dhjetë sipas hixhretit janë dy personalitete me këtë
pseudonim:
I pari (Mustafa -) është prishtinas. Është vëllai
i vogël i Luhit dhe Nuhit. Vëllai i tij Nuhiu u bë reis-ul-kuttabi
(sekretar gjeneral) në sanxhakun e Shehzade Sulltan Mehmed bin Murat
hanit III , kurse ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu,
u bë matbah katibi (shef kuzhine). Kur vdiq Shehzadea i lartpërmendur,
ky u pensionua dhe deri sa vdiq jetoi i kënaqur dhe i lumtur .
BAJAZIT PASHA
Ishte nga njerëzit e besueshëm të Jëlldërëm
Sulltan Bajazit Hanit. Është shqiptar. Kur padishahu i lartpërmendur
u zu rob në luftën me Timurlengun, Bajazit Pasha u interesua
ta shpëtojë nga dora e tatarëve Shehzade Çelebi Sulltan
Mehmedin (djali i Jëlldërëm Sulltan Bajazitit - M.P.) që
gjendej në internim dhe që ende ishte në moshën 15
vjeçare. Këtë e bëri me shumë vështirësi
dhe mundime, sipas një interpretimi, vishej si lypës. Shehzaden
gjithnjë e merrte pas vetes dhe shëndoshë e mirë e
solli në kalanë e Amasijes. Kështu e pat shpëtuar prej
rrezikut. Lartëmadhëria e tij Sulltan Mehmed Hani e çmoi
sinqeritetin dhe besnikërinë, e tij, prandaj, duke e nderuar
me gradën e vezirit, gjatë kohës së sulltanatit të
vet e mori dhe e angazhoi si këshilltar të lartë. Gjithnjë
e mbante pranë vetes. Sado që Izmirogllu Xhunejdi më parë
i kishte premtuar se do të ia jepte vajzën këtij, nuk ia
dha, por ia dha një shqiptari tjetër që quhej Abdullah,
prandaj, Bajazit Pasha, i hidhëruar në këtë, në
luftën që e bëri me Izmirogllu Xhunejdin, e zuri rob Abdullahun
e sipërpërmendur dhe në shenjë hakmarrjeje, e tredhi.
Edhe në një luftë që e bëri kundër Karamanogllit,
doli ngadhnjyes. Padishahut i patë bërë shumë shërbime.
Kur padishahu ishte i angazhuar me disa pushtime në anët e Selanikut,
në anët e Ajdënit, një person me emrin Borklyxhe Mustafa
organizoi kryengritje duke thirrë në ndihmë edhe të
krishterët . Bajazit Pasha dhe Shehzade Sulltan Murat Hani u angazhuan
në largimin dhe zhdukjen e të përmendurit. Edhe këtë
herë patën sukses, ashtu që Borklyxhe Mustafain dhe bashkëmen-dimtarët
e tij i eliminuan. Në vitin 824/1421, me vdekjen e Sulltan Mehmedit
në Edrene, Bajazit Pasha në marrëveshje me sadriazem Ibrahim
Pashën, e sollën Murat Hanin nga Amasja në Brusë dhe
derisa hypi në fron ky (Sulltan Murati - M.P.), ia dolën ta mbajnë
të fshehur vdekjen e tij. E paralajmëruan për rreziqet që
mund t'i ndodhnin atij (Sulltan Muratit - M.P,) .
Edhe Hydavendigjari e nderoi dhe e respektoi Bajazit Pashën.
E emëroi serdar (kryekomandant) kundër Dyzme Mustafait , i cili
u paraqit në anët e Selanikut në vitin 825/1421. Në
luftën që ndodhi në lumin Sazli (Sazli-dere) në afërsi
të Edrenes ushtria e tij u kthye në anën e e Dyzme Mustafait.
Në këtë luftë u mund dhe u zu rob; iu dorëzua
Xhynejdit i cili kaloi në pushtet, e ky, për të marrë
hakun e dhëndrrit të tij, e vrau atë (Bajazit Pashën
- M.P.). Në këtë luftë mori pjesë edhe vëllai
i Bajazitit, Hamzai. Pasi edhe këtë e zunë rob, e liruan
më pastaj. Më vonë ky, gjatë shërbimeve që
i bëri në shtet, fjala është për shtetin (Osman
- M.P.), gjeti rastin dhe e vrau Xhu-nej-din dhe kështu e mori hakun
e vëllait .
BALLABAN BEU
Është nga personalitet e kohës së Ebu-l-Feth Sulltan
Mehmed Hanit. Ishte me origjinë shqiptare. Si fëmijë u zu
rob. U edukua në pallatet e Sulltanit. E pranoi fenë e respektuar
islame. Ishte ndër më të parët që u hodh në
sulm me rastin e pushtimit të Stambollit. Prandaj, i ra në sy
për të mirë padishahut. Në vitin 870/1465 u dërgua
në Shqipëri me 15 mijë kalorës dhe me 3 mijë ushtarë
këmbësorë kundër Skënderbeut. Fitoi në betejën
në afërsi të Dibrës. E zuri rob Mojsiun, njërin
nga shokët më të guximshëm të Skënderbeut
dhe gjashtë persona të tjerë nga krerët e tij. Pasi
i dërgoi në Stamboll, u tërhoq në Ohër. E dërgoi
në ndihmë një shqiptar me emrin Jakup. Derisa e pushtonin
Beratin, Skënderbeu nuk u la kohë për konsolidim, por menjëherë
i shtypi dhe i theu forcat e tij dhe Jakupin e vrau. Për këtë
shkak Sulltani ia mësyu personalisht dhe me një fuqi të
madhe. Pasi e rrethoi një kohë bukur të gjatë Krujën
(d.m.th, Akça Hisarin) që ishte qendër e Skënderbeut,
u kthye, kurse rrethimin e Krujës ia besoi Ballabanit.
Skënderbeu një natë doli nga kalaja dhe e kapi vëllanë
e tij Junus beun dhe djalin e tij Hazar beun, të cilët i erdhën
në ndihmë Ballabanit, Kur nga pjesa e sipërme e kalasë
ia tregoi të lidhur, Ballabani nuk mundi të durojë dhe u
vërsul në kala. Në këtë sulm u qëllua dhe
vdiq .
BOGDANI
Ishte ipeshkv i katolikëve në Shqipëri para katër
qind vjetësh . Ka shkruar një libër të madh në
gjuhën shqipe në të cilin shtjellon çështje
fetare dhe një poemë përkitazi me fjalime dhe këshilla.
Këto dy libra së bashku me veprat e një ipeshkvi tjetër
me emrin Budi , meqë janë shkruar me një gjuhë shumë
të pastër dhe letrare, mund të numërohen dhe të
konsiderohen si bazë letrare e gjuhë së përmendur.
Disa herë janë botuar në Romë .
BUSHATLINJTË
Është një familje e cila, duke trashëguar njëri
tjetrin, ka qeverisur vilajetin e Shkodrës, pjesën më të
madhe të Gegërisë, që nga vitet e para të shekullit
të dymbëdhjetë e deri në vitet e para të shekullit
të trembëdhjetë sipas hixhretit , d.m.th. rreth njëqind
vjet . Theme-luesi i kësaj dinastie Mehmed Pasha , ishte nga bejlerët
e fshatit Bushat. U shpërngul për në Shkodër. Me aftësitë
dhe dredhitë e tij fitoi autoritet të madh. I shtiu në dorë
(i përfitoi) të gjithë valitë e Shkodrës dhe në
fund ia arriti që t'i shtijë ata ta njohin atë për
vali. Pasi u bë vali, armiqtë dhe shokët e tij, që
në një mënyrë do të bëheshin rivalë
të tij, i eliminoi dhe kështu fitoi fuqi të madhe. Gjatë
luftës së Rusisë në ishullin e Moresë, nga ana
e Portës së Lartë kundër bejlerëve të Toskërisë,
të cilët ishin të padëgjueshëm në disa veprime
të tyre, u dërgua Mustafa Pasha, djali i madh i Mehmed Pashës.
Mirëpo, meqë edhe ushtria e tij veproi në mënyrë
të njëjtë, këtë e mbytën me helm. Atëbotë
vdiq edhe Mehmed Pasha. Tani vali i Shkodrës bëhet Mahmud Pasha,
djali i dytë i tij (i Mehmed Pashës - M.P.) i njohur me emrin
Kara Mahmud Pasha . Ishte trim i madh, i kujdesshëm dhe i aftë.
Sado që i bëri shërbime të mëdha Shtetit Osman
në More dhe në Mal të Zi, e pastaj, edhe në disa vende
me të cilat kishte marrëdhënie shtetërore, siç
ishin Republika e Venedikut dhe Austria, iu shmang. Meqë me kokë
të vetë hyri në Mal të Zi dhe e sulmoi këtë
vend disa herë dhe, meqë nuk u pajtua me urdhërat dhe rekomandimet
që iu dhanë nga ana e Portës së Lartë, për
ta bindur këtë, u dërgua një ushtri. Mirëpo, meqë
ngadhnjente, edhe më tutje vazhdonte t'i realizojë qëndrimet
e veta. Për kërkesën e tij për pavarësi nxitej
edhe nga ana e Austrisë dhe Venedikut. Këto qëllime u kuptuan
nga ana e Portës së Lartë, prandaj, kundër tij u dërgua
një ushtri nën komandën e Ali Pashë Tepelenës
dhe pashallarëve të tjerë. Edhe pse u rrethua në Shkodër,
nga qëndrimet dhe sjellejt e tyre korrekte, pati dobi (shfrytëzoi)
dhe, kështu, përsëri shpëtoi. Dy shtetet e përmendura
e përshëndetën dhe e uruan për këtë
fitore dhe njëkohësisht e nxitin edhe më tutje. Mirëpo,
duke kuptuar më vonë se qëllimet e këtyre shteteve
shkonin në dëm të popullatës muslimane, i likuidoi
delegatët që i dërgoi së fundi Austria. Letrat dhe
dhuratat e veta ia patë dërguar Portës së Lartë.
U thye në njërin nga sulmet që deshi ta nënshtrojë
Malin e Zi. U vra në fushëbetejë. Vëllai i tij Ahmed
Pasha, i cili ishte pas tij, u kap nga ana e komandantëve të
Rumelisë gjatë kësaj kryengritjeje dhe, meqë u dënua
me vdekje, vali i Shkodrës u bë vëllai i tij i vogël,
Ibrahim Pasha. Ky personalitet, duke treguar besnikëri dhe dëgjueshmëri
të plotë në kryerjen e punëve të Shtetit Osman,
i bëri shërbime të mëdha shtetit në zhdukjen dhe
shpartallimin e kryengritësve dhe disa bandave plaçkitëse.
Meqë nuk la fëmijë kur vdiq, vali i Shkodrës u bë
Mustafa Pasha, djali i Kara Mahmud Pashës. Edhe ky, duke kërkuar
pavarësi, shkonte hapave të babait të vet. Për këtë.
nxitej nga ana e Rusisë përmes Milloshit të Serbisë.
Në këtë kohë filloi lufta ruso-turke. Nga thyerja dhe
angazhimi i Shtetit Osman në këtë luftë përfitoi
dhe shkoi përpara deri në Sofje dhe Pllovdiv . Gjatë udhëtimit
rrënoi gjithçka. Për shkak të sistemit të ri
(Nizam-i Xhedid) , Mustafa Pasha ishte i pakënaqur, por të pakënaqur
ishin edhe bejlerët e tjerë, prandaj iu përgjigjën
thirrjes së tij. Këtë herë, ndërkaq, marrja dhe
ekzekutimi i Ali Pashë Tepelenës e shqetësoi, prandaj u
hutua dhe u trondit. Përsëri, duke iu nënshtruar nxitjeve,
me 30-40 mijë shqiptarë shkoi deri në Prilep, mirëpo,
veziri i madh Reshid Pasha që gjendej në Manastir i ktheu bejlerët
shqiptarë në anën e Shtetit Perandorak. Me një pjesë
të ushtrisë së rregullt dhe me ushtarët toskë,
menjëherë e theu ushtrinë e Mustafa Pashës. Pasi humbi
betejën, Mustafa Pasha iku në Shkodër. Edhe pse u mbyll
në kështjellë (kala) më në fund qe i shtrënguar
të dorëzohet. U dërgua në Stamboll dhe u fal nga ana
e Sulltan Mahmudit. I caktoi një rrogë dhe e emëroi vali
në Ajdën dhe në disa viljate të tjera. Shërbeu
në Shtetin Osman deri sa vdqi. Hasan Pasha i cili tani (lexo në
kohën e Sami Frashërit - M.P.) është vali i Halepit
dhe Riza beu që është anëtar i Këshillit
shtetëror janë të këtij personi (Mustafa Pashës
- M.P.) .
DAUT PASHA
Është nga vezirët që arriti në ministri në
kohën e Sulltan Bajazit Hanit II. Është me origjinë
shqiptare. Kur ishte fëmijë u zu rob. Pas pranimit të rrugë
së drejtë (pas pranimit të fesë islame - M.P.) dhe,
për shkak të talentit të tij të lindur, duke marrë
gradë pas grade, në kohën e sulltanatit të Ebul-Fet'h
Sulltan Mehmed Hanit II u bë bejlerbe i Rumelisë. U gjend në
disa shërbime (detyra) të rëndësishme, si p.sh. me
rastin e rrethimit të Shkodrës. Në vitin 888/1483, në
kohën e Sulltan Bajazit Hanit, duke qenë bejlberbe i Anadollit,
kaloi në postin e vezirit të madh pas Ishak Pashës dhe kështu
14 vjet me sukses i udhëhoqi punët e rëndësishme të
shtetit Osman. E drejtoi ushtrinë kundër Karamanit dhe pati sukses
në shuarjen e kryengritjes që u paraqit atje. Në vitin 902/1496
u largua dhe u tërhoq të jetojë në qetësi në
Dimotikë , duke marrë një pension të plotë dhe
të mjaftueshëm. Pas dy vitesh aty vdiq. Kufomën ia dërguan
në Stamboll. E varrosën në tyrben e posaçme para
mihrabit të xhamisë që ishte ndërtuar për të.
Ishte një vezir i cili i donte dijetarët, fetar i madh dhe intelegjent.
Në Stamboll, në lagjen e pagëzuar me emër të tij
ka ndërtuar xhami sherif, medrese, mekteb, çeshme dhe imaret-hane.
Kësi lloj të mirash materiale ka lënë edhe në
disa vende të tjera. Edhe fushës jashtë Stambollit, ku dikur
fillonin aksionet e ushtrisë osmane për në drejtim
të Rumelisë, i është dhënë emri i tij, madje
edhe kazerma që gjendet sot (lexo në kohën e Samiut - M.P.)
në vendin e përmendur e mban emrin e tij .
DORA D'ISTRIA
(Elena Gjika)
Ishte një zonjë shumë e zgjuar për shkencë
dhe arsim dhe shumë e njohur me studime shkencore. Rrjedh nga familja
Gjika e cila ishte një familje princash në Vllahi-në Rumani.
Emri i vërtetë i saj është Elena Gjika. Në shkrimet
e