HOXHË
VOKA
Personaliteti
i shquar rexhep voka
Personaliteti
i shquar Rexhep Voka lindi në fshatin Shipkovicë të Tetovës
më 1847. Arsimin fillor e mori te hoxha i fshatit, ne Shipkovicë,
dhe atë të mesëm fetar në qytetin e Tetovës, kurse
arsimin e larte fetar e kreu në Stamboll, ku mori ixhazetin (diplomën)
e myderizit. i vlerësuar për rezultatet e tij të shkëlqyera
u emërua pedagog pranë fakultetit, ku kishte bërë edhe
studimet.
Më
1895 u kthye në vendlindje ku fitoi një reputacion të madh.
Më 1903 emërohet myfti i vilajetit të Manastirit, i cili
atë kohë përfshinte rreth 2 mijë fshatra shqiptarë.
Si shumë patriotë të tjerë, edhe Rexhep Voka në
fillim mbajti anën e turqve të rinj. U aktivizua në tubimin
e Bukureshtit të vitit 1906, përkrah Ismail Qemalit, në
atë të Ferizajt të vitit 1907, si edhe në Kongresin
e Dibrës.
Në
një artikull në "Shqypoja e Shqyperisë"të vitit 1910
shpreh gabimin e vet për çështjen e alfabetit. Çështjen
e alfabetit Rexhep Voka e pa në dritën e politikës xhonturke.
Ai e konceptoi atë si diçka të lidhur me fenë. Punoi
që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet arab të përshtatur
me fonetikën shqipe. Sipas Hasan Kaleshit, në muajin mars të
vitit1910, tetovari Rexhep Xhudi, i biri i Nuredin Vokës, i paraqiti
parisë së Janinës një trajtesë, ku rekomandon
alfabetin arab për shkrimin e gjuhës shqipe. Në vijim të
këtij qendrimi, Rexhep Voka, pasi përpiloi alfabetin shqip me
shkronja arabe, hartoi dhe abetaren po me këto shkronja, të cilën
e titulloi "Abbeja skip". Abetarja u botua në Stamboll, më 1910,
dhe kishte 20 faqe. Më 1911 ai botoi edhe "Gramatikën elementare
shqipe", si edhe një tekst mësimor fetar "Ilmihali i hollësishëm
shqip", ku trajtohen parimet fetare islame.
Për
të kuptuar personalitetin e Rexhep Vokës dhe qendrimin e tij,
duhet vlerësuar përmbajtja e veprës së tij "Mendime",
botuar në Stamboll më 1910. Vepra u shkrua në të folmen
e Tetovës. Me interes këtu paraqiten pjesët "Disa fjalë
vëllezërve shqiptarë", "Din e dije"(vjershë), "Mësime"
etj. Në këtë vepër Rexhep Voka mbron pikëpamjen
që "Shkollat t’i hapim dhe në mos paçim mundësi të
ndërtojmë ndërtesa të mëdha, në kolibe me
kashtë t’i tubojmë fëmijët vetëm që të
mësojnë", "Ne shqiptarët është turp të mbesim
më poshtë se popujt e tjerë". Të tilla qendrime janë
të shumta në këtë botim.
Në
faqet e shtypit shqiptar të Kosovës, si edhe të atij të
Maqedonisë, rrallë është diskutuar ndonjë figurë
sa ajo e R.N.Vokës. Veprimtarisë së tij për arsimin
shqip islam, si dhe veprimtarisë së tij atdhetare, i kushtohet
një kapitull i veçantë në librin voluminoz "Mësuesit
për kombin shqiptar".
Rexhep
Voka ishte i lidhur shumë me fenë dhe njëkohësisht
ishte një atdhetar i madh. Ai lëshoi kushtrimin që "të
bashkohemi për t'i dhënë kombit dije, edukim e arsim". Ai
nuk ishte dogmatik në qendrimin e tij dhe qe në gjendje që
qendrimet e tij t’i shikonte me sy objektiv. Pikërisht ky qendrim
i tij objektiv e bëri të heqë dorë nga pikëpamja
e parë. Ai preferoi të privohet nga çdo privilegj i ofruar,
të jetojë duke shitur lule nepër sokaket e Stambollit dhe
të vdesë i varfër për të mbetur besnik i idealeve
kombëtare dhe i atyre fetare, të cilave u kishte shërbyer.
E parë me syrin kritik, vepra e Rexhep Vokes ka pasur një ndikim
pozitiv në përhapjen e diturisë për arsimin në
gjuhën amtare, për kulturë islame, si dhe për shkrim-leximin
në gjuhen shqipe, larg ndikimit të shkollave sllave.
Rexhep
N. Voka vdiq në vitin 1917 (?) në varfëri të thellë
në Stamboll.
Në
Shipkovicë është ngritur një përmendore në
nderim të tij. Janë organizuar veprimtari, në mes të
cilave një simpozium, ku kanë mbajtur kumtesat e tyre personalitete
të shquara të kulturës e të fesë në ato treva
shqiptare. Ato hedhin dritë mbi vlerat gjuhësore të veprës
së R.Vokës, mbi pikëpamjet pedagogjike, mbi pikëpamjet
filozofike e sociale, etj. Vepra e Vokës është lënë
në hije nga paragjykime indoktrinuese sllavokomuniste.
Rexhep
Voka ka botuar shumë artikuj gjatë kohës së qendrimit
të tij në Stamboll, por që nuk janë studiuar.